Partia e Demokratike e Kosovës e ka nisur si më së miri të ashtuquajturën “Java e Pavarësisë së Kosovës”, përcjell InLajmi.
Kështu i pari i PDK-së, Memli Krasniqi ka bërë nderime tek varri i ish-burgosurit politik dhe atdhetarit të lirisë, Adem Demaçi nga ku edhe tha se ai është simbol i sakrificës, guximit e atdhedashurisë.
Ndërsa kujtimi, respekti e mirënjohja ndaj tij Krasniqi tha se duhet të tregohet ndryshe.
Krasniqi me plotë bindje tha se në Prishtinë shumë shpejt do t’i ndërtohet një shtatore Bacës Adem sepse ia kemi borxh.
Postimi i plotë i tij:

Bashkë me Melizën, Borën, Malin dhe Verën, bëmë homazhe te varri i qëndrestarit të papërsëritshëm, Bacës Adem Demaçi duke e nisur kështu Javën e Pavarësisë, përplot me aktivitete, vizita dhe mirënjohje.
Adem Demaçi është simboli i sakrificës, guximit dhe atdhedashurisë – karakteristika të cilat mishërojnë përpjekjet e shumë brezave në rrugën e lavdishme të lirisë.
E kujtoj si sot, Adem Demaçi ishte një ndër personat e vetëm të cilin ish-Kryeministri Hashim Thaçi e kishte ftuar në ndërtesën e Qeverisë në mbrëmjen e 16 shkurtit të vitit 2008, për të ndarë me të të gjitha përgatitjet finale për Ditën e shpalljes së Pavarësisë – përfshirë edhe prezentimin e flamurit të Kosovës. Ishte një ndër momentet më emocionuese që kisha përjetuar deri atëherë.
Baca Adem nuk është thjesht një emër, por është institucion. Prandaj, kujtesa, respekti dhe mirënjohja historike ndaj personalitetit të tij duhet të tregohet edhe përmes ngritjes së një shtatoreje meritore në Prishtinë.
Partia Demokratike e Kosovës do ta merr këtë nismë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Këtë ia kemi borxh Adem Demaçit. Ia kemi borxh Kosovës!/InLajmi/