Duke i kthyer përgjigje nënkryetares së grupit parlamentar të PS, Anila Denaj që kërkoi përjashtimin e tij nga Kuvendi, kryedemokrati Sali Berisha tha se skandali i tmerrshëm për çështjen McGonigal, që sipas tij ka përfshirë qeverinë, nuk mund të sfumohet me banalitete.
“Me asgjë, me asnjë akt, me asnjë banalitet nuk mund të sfumoni skandalin e tmerrshëm në të cilin jeni përfshirë. Këtu në parlament endet hija e McGonigal, i cili bashkëpunoi jo vetëm me Edi Ramën, por edhe me disa nga këta ministra e ministre. I cili mori përsipër si vrasës me pagesë të sulmojë opozitën, të shkatërrojë opozitën, i cili mori përsipër shumë e shumë veprime për të cilat kryetari juaj, një pjesë e juaj e mirë jeni dhe do të jeni në gjykim, në Shqipëri dhe SHBA. Përsa i përket zonjës! Zonjë do të ju them një gjë unë ty. Ty të duket të pëlqejnë ato që thotë Rama, por unë ato nuk i them kurrë, unë jam soj tjetër, edukatë tjetër, kështu që nuk kam si ta kuptoj unë reagimin tënd, përveç një dëshire që të dëgjosh nga goja ime ato që thotë kryetari yt edhe në këtë sallë parlamenti. Por ato nuk do ti plotësoj ndonjëherë”, tha Berisha, ndërkohë që fjala e tij shfaqej edhe në ekranin e vendosur nga jashtë Kuvendit, ku zhvillohet protesta e thirrur nga opozita.
Në një deklaratë të firmosur nga 27 deputetë socialistë, që u lexua nga Denaj thuhet se gjuha e përdorur nga Berisha ka cenuar dinjitetin e ministreve, deputeteve dhe Kuvendit, shkruan TV Klan.
Denaj tha se Berisha ose duhet të nxjerrë prova që mbështesin gjuhën e përdorur nga ai, ose të kërkojë falje