Kryeministri i vendit Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka shkëmbyer replika me deputetët opozitarë, të cilët e kritikuan për mungesë transparence dhe keqqeverisje, raporton InLajmi.
Kurti shtroi një kërkesë për deputetët opozitarë që t’i thonë Escobarit njësoj siç po i thonë Kurtit se nuk ka marrëveshje finale pa njohje reciproke me kuptimin që ata po i ndërrojnë fjalët.
“Kur ta takoni Escobarin, thuajani përpara, mendomëni mua dhe thuajani atij se jeni për marrëveshje finale dhe njohje reciproke në qendër. Paramenoni që më keni mua kur i thoni Escobarit fjalët e njëjta. Shërbime më të madh Kosovës nuk mund t’i bëni”, është shprehur Kurti në kuvend.
Tutje, kryeministri theksoi se i ka ftuar deputetët opozitarë për të parë propozimin franko-gjerman, mirëpo siç theksoi ai, takimi nuk kishte përfunduar, pasi ata ishin larguar.
“Po thoni se po fshihem, si mund të fshihem kur ju kam ftuar në zyrë për ta parë propozimin e BE-së. Ju e keni parë propozimin, e keni lexuar. Takimi nuk ka përfunduar për shkak se partitë opozitare shkuan. Unë nuk mund ta nxjerrë prej zyres atë”, tha ai.
Në fund Kurti thotë se Asociacioni është i kryetarit të LDK-së Isa Mustafës dhe kryetarit të PDK-së Hashim Thaçit.
“Ky asociacioni është i kryetarit të nderit të LDK-së [Isa Mustafës] dhe kryetarit të nderit të PDK-së [ Hashim Thaçit]” /InLajmi/