Deputetja e AAK-së Time Kadriaj, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës të mbajtur këtë të enjte e ka pyetur kryeministrin Kurti se “pse është ndaluar kolona me ndihma nga Shqipëria dhe nuk është lejuar të hynte në Kosovë gjatë kohës sa ishin vërshimet?”, raporton InLajmi.
“Qeveria e Kosovës i ka bërë një kërkesë Shqipërisë që të ndihmojë Kosovën, dhe ne kemi parë që janë nisur kolona të gjata me njerëz që janë nisë e kanë dashur të ndihmojnë në Skenderaj, për situatën e krijuar nga vërshimet. Pse kryeministër u ndal kolona me ndihma nga Shqipëria dhe nuk është lejuar të hyjë në Kosovë? Cili ishte qëllimi i ndalimit të konvojit të Shqipërisë për të ju ndihmuar qytetarëve në Kosovë? ”, ka pyetur kryeministrin e vendit, deputetja e AAK-së.
E shpejtë ishte edhe përgjigja e kryeministrit Albin Kurtit, i cili tha se Ministria e Mbrojtjes ka qenë mirënjohëse për ndihmën e ofruar nga Shqipëria, por që nuk ka pasur nevojë për ndihmë.
“Sa i përket disa prej çështjeve, është e vërtetë se Shqipëria është shprehur e gatshme për të na ndihmuar me ushtrinë e saj kur ndodhën vërshimet javë më parë, por Ministria e Mbrojtjes dhe MPB kanë qenë të qartë se janë shumë falënderues për këtë gatishmëri të Shqipërisë, por nuk ka pasur nevojë për atë lloj ndihme sepse e kanë edhe FSK-ja edhe Policia edhe AME-ja. Pra kemi qenë shumë larg prej limiteve të kapaciteteve tona që të na vijnë në ndihmë, por ata kanë qenë kërkues e ne jemi mirënjohës e falënderues. Në një rast të vështirësimit të gjendjes së vërshimeve, do të mund të na ndihmonte Shqipëria por për shkak të organizimit të mirë që kemi pasur ndërmjet qytetarëve dhe komunave e Qeverisë, kemi arritur që t’ia dalim”, ka deklaruar Kurti. /InLajmi/