Qeveria e Kosovës ka miratuar 3 marrëveshje që janë nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit, raporton InLajmi.
Kryeministri Albin Kurti tha se pas aprovimit në Qeveri të Kosovës këto marrëveshje do të dërgohen për miratim edhe në Kuvend.
“Vitin e kaluar pas gati 3 vitesh negociatash në Berlin nënshkruam 3 marrëveshje të mobilitetit mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sot pas përfundimit të procedurave të brendshme nga institucionet tona i kemi sjellë për aprovim në Qeveri dhe pastaj do t’i çojmë në Kuvend”, tha kryeministri Kurti.
Marrëveshjet e nënshkruara në procesin e Berlinit janë: marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor, marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor, si dhe marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore.
Ndryshe, Procesi i Berlinit u krijua në 2014 si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në. /InLajmi/