Çështja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, sa i përket presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë është temë e mbyllur.
Gjatë qëndrimit në shtetin fqinj, presidentja Osmani u prit nga nivelet më të larta shtetërore.
“Konkretisht, sa i përket kufijve, për mua ajo çështje ka përfunduar në parlament para disa vitesh, kur ajo marrëveshje është ratifikuar mes Malit të Zi dhe Kosovës. Pastaj është një marrëveshje 2palëshe mes presidentëve të atëhershëm të Kosovës dhe Malit të Zi, një lloj deklarate në të cilën theksohen hapat e ardhshëm”.
Sipas presidentes Osmani, deklarata e nënshkruar mes 2 presidentëve parashikon ndër të tjera se do të formohet një komision i ri teknik me ekspertë nga të dyja palët për t’u ulur dhe për të trajtuar çdo çështje të hapur.
“Pra, unë personalisht nuk jam kundër që një komision teknik të ulet dhe ta shikojë këtë nga pikëpamja e ekspertëve, por jo nga pikëpamja politike. Si përfundim, unë nuk shoh se ka ndonjë çështje të hapur politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk e shoh këtë si një çështje të hapur që do të dëmtonte disi marrëdhëniet tona”.
Presidentja Osmani deklaroi se këtë para së gjithash, e shikon si një çështje ekspertize dhe një çështje që duhet të zgjidhet midis ekspertëve në komisionin teknik, siç parashikohet nga Deklarata e 2 presidentëve, e cila u nënshkrua në 2015 dhe e cila, natyrisht, mund të zbatohet pa dëmtuar marrëdhëniet mes 2 vendeve.
“Pra, sigurisht që ka shumë njerëz që dëshirojnë ta shohin këtë si shkak të marrëdhënieve të këqija mes Malit të Zi dhe Kosovës, por ne nuk duhet t’ua plotësojmë këtë dëshirë”.
Osmani tha se avokon që malazezët të njihen si pakicë në Kushtetutën e Kosovës, por sipas saj, kjo varet nga procedurat e ndërlikuara kushtetuese, televizionin “Vijesti”.

“ Unë jam absolutisht në favor të saj dhe patjetër që e mbështes këtë ide dhe e kam mbështetur gjithmonë. Mirëpo, kompleksiteti i kësaj çështje nuk lidhej asnjëherë me mungesën e vullnetit të qeverive të mëparshme dhe katër parlamenteve”, ka deklaruar Osmani, transmeton RTK.
Sipas saj, kompleksiteti qëndron te procedurat kushtetuese, mënyra e ndarjes së mandateve në parlament.