Po bëhen gati 3 javë prej se disa Komuna të Kosovës janë goditur nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shiut, përderisa qytetarët dhe bizneset në këtë rajone ende nuk janë ndihmuar nga institucionet shtetërore.
Njëra ndër komunat më të prekura nga vërshimet është ajo e Skenderajt, e cila është përballur me një gjendje të jashtëzakonshme.
Kosto e dëmeve të shkaktuara pas përmbytjeve që shkaktuan reshjet e shiut në këtë Komunë, ka prekur shifrën e 15.000.000.
“Pas vërshimeve gjendja është e rëndë, sepse vërshimet kanë lënë shumë pasoja dhe dëme materiale si në ekonomi familjare, në biznese ashtu dhe në prona bujqësore. Rreth 15.000.000 euro është kostoja e dëmeve në komunën e Skenderajt”, theksoi Nura.
E për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga vërshimet, kryetari Fadil Nura thotë se nevojitet ndihma e Qeverisë.
Ai bëri të ditur edhe shifrën e grumbullimeve të të hollave në Fondin Emergjent të vërshimeve në këtë komunë.
“Mbi 300.00.000 euro është numri i të hollave të grumbulluara deri ditën e djeshme në Fondin Emergjent të Vërshimeve. Qeveria e ka obligim të na ndihmojë, por jemi duke e përgatitur raportin e vlerësimeve të dëmeve të shkaktuara pastaj presim ndihmën e Qeverisë. Duke u bazuar në buxhetin e ndarë për rastet emergjente besoj që Qeveria do të na dalë në ndihmë, por mbetet në vullnetin e tyre”, tha ai.
I pari i Skenderajt ka thënë se ndihma e komunës ndaj qytetarëve nuk ka munguar në këtë situatë.
“Jemi duke punuar me familjet e prekura por dëmet kanë një kosto të jashtëzakonshme për kapacitetet që ka komuna. Jemi duke furnizuar banoret e prekur për nevojat elementare, një pjesë ka filluar të pastrohet por ka dëme shumë të mëdha”, u shpreh Nura.
Ndryshe, të enjten e 19 janarit komuna e Skenderajt pati shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas situatës së rënduar nga vërshimet, shkruan FrontOnline.
Komunat më të prekura nga reshjet e shiut në Kosovë janë: Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu dhe Podujeva.