Ministria e Financave javë më parë mori vendim për rritjen e tatimit në prone e kjo gjë bëri bujë të madhe në Kosovë ku pasuan reagime frustruese nga të gjithë, ndërsa për të ulur tensionet në masë, ministri, Hekuran Murati doli të sqarohet duke theksuar se nuk është rritur vlera e tatimi në pronë, por që Qeveria e Kosovës ka bërë një vlerësim real të pronave, shkruan InLajmi.
Sipas ministrit Murati kjo nuk mund të quhej rritje e vlerës së tatimit në pronë, por rritje e vlerës së pronës.
Kjo rritje e faturës së tatimit në pronë ka shtuar kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës, derisa qytetarë nuk u pajtuan më faktin që tatimi është rritur, dhe jo vetëm sepse në lidhje më këtë filluan reagimet nga me të ndryshimet edhe nga partitë opozitare, bile-bile dikush edhe solli një “propozim”.
Ishte i pari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ai i cili ia bëri gati 3 propozime Ministrisë së Financave për ta zgjidhur njëherë e mirë çështjen e tatimit në pronë.
Propozimi i parë sipas kryetarit Rama e që beson se do të ndikonte në lehtësimin e barrës së buxhetit të familjeve është mbledhja e tatimit në pronë nga janari i vitit të ardhshëm duke ndryshuar dhe plotësuar Ligjin për tatimin, ndërkohë kërkon që përmes buxhetit qendror të subvencionohet fatura e parë e tatimit në pronë për vitin 2023.
Rama ka shtuar tutje se përmes ndryshimit të Ligjit për Tatimin në Pronë, sipas pikës së parë të propozuar mundësohet mbledhja e tatimit në pronë sipas vlerës së faturimit të vitit 2022.
E për këtë rritje të tatimit sikur edhe për propozimet e shefit të kryeqytetit ,njohësi i çështjeve ekonomike në Kosovë, Safet Gërxhaliu për Gazetën InLajmi tha se vendimi i marrë nga Ministria e Financave për rritjen e vlerës së tatimit në pronë duhet të rishikohet pasi është vendim që ka sjellë pakënaqësi të shumta.
Gërxhaliu ka rikujtuar se Ligji mbi Pronën ka mbetur i pa përfunduar që nga tetori i vitit të kaluar, dhe për këtë ai ka thënë së duhet të ketë dialog dhe ligji të kompletohet.
Sipas tij nëse nuk arrihet dialog atëherë, le që Kosova nuk do të ndihmohet, por do të rëndohet situata akoma më shumë.
“Vendimi për rritjen e tatimit duhet të rishikohet pasi ka sjellë pakënaqësi. Ka pas shumë më tepër vendime Ad-Hoc që do të thotë që ato janë produkt i debatit si për tatimin në pronë ashtu edhe për çështje të tjera. Debatet duhet të bazohen në dialog të mirfillt, mirëpo që për fat të keq kjo nuk ka ndodhur ndërsa çdo ditë e më tepër po rritet pakënaqësia.”, tha Gërxhaliu.
Ekonomisti Gërxhaliu mendon se vendimi për rritjen e tatimit në pronë duhet të poezullohet dhe të zhvillohet dialog për këtë sikur edhe për shumë çështje tjera.
“Unë besoj që janë 3 rekomandime që duhet të përfillen e para është pezullimi i një vendimi të tillë, e 2-ta të të vazhdohet me kompletimin e Ligjit mbi pronën gjë e cila ka mbetur pa u përfunduar në tetor të vitit që lam pas. Dhe e fundit të arrihet dialog se nëse nuk kanë dialog nuk do i ndihmojnë asgjë Kosovës veçse do e rëndojnë më tepër dhe në fund të fundit vjen pyetja që kujt i duhen Ligje të cilat pas miratimit dhe ratifikimit të tyre adresën e parë e kanë Gjykatën Kushtetuese “, tha për Gazetën InLajmi ekonomisti i njohur kosovar, Safet Gërxhaliu.
Gërxhaliu tha së është koha që qytetarët ta shijojnë dorën e shtetit e sidomos në këtë kohë ku tashmë dihet që inflacioni ka prekur kulmin e rritja e çmimit të produkteve veçse po “fluturon” dita-ditës.
“Besoj që njëri nga komponentet kryesore për vitin 2023 duhet të jetë kompromisi, fleksibiliteti dhe dialogu sepse besoj që është koha kur qytetarët duhet të shijojnë dorën e shtetit e sidomos në këtë kohë krize pasi që nuk duhet të harrojmë që kemi një inflacion afër 20%, kemi ngritje enorme të çmimit të produkteve, e nëse do të ketë rrënim ose cenim të sektorit të ndërtimtarisë kjo do i sjellë vendit dëmin më të madh sepse ndërtimtaria në veti ka projektim, punësim, prodhim, tregti, financa nëse ky sektor lëkundët atëherë kjo lëkundje do t’i kushtojë shumë Kosovës në të ardhmen”, tha Gërxhaliu.
Për rritjen e tatimit në pronë dhe propozimet e kryetarit të Prishtinës, Gazeta InLajmi ka kontaktuar edhe me njohësin e çështjeve ekonomike Besnik Avdiaj, i cili tha se propozimet e Ramës janë përpjekje për ta lehtësuar apo shtyrë përkohësisht barrën që iu është ngarkuar qytetarëve nga rritja e tatimit në pronë.
Avdiaj mendon se zbatimi i 3 propozimeve të Ramës varet nga interesat politike, ndërsa theksoi se është mëse e kuptueshme që propozimet janë në të mirë të qytetarëve, por prekin direkt buxhetin e shtetit.
“Propozimet e kryetarit të Prishtinës janë përpjekje për ta lehtësuar apo shtyrë përkohësisht barrën që iu është ngarkuar qytetarëve nga rritja e tatimeve në pronë. Në këto rrethana, është e kuptueshme që propozimet në të mirë të qytetarëve detyrimisht do të prekin buxhetin e vendit, por më e rëndësishme sesa inkasimi i të hyrave nga tatimet në pronë, është mirëqenia e qytetarëve. Prandaj, se sa do të gjejnë mbështetje këto propozime apo propozime të tjera, më tepër sesa nga një analizë që parashikon efektin e tyre, varet nga interesat politikë”, u shpreh Avdiaj për Gazetën InLajmi.
Për më tepër ekonomisti Besnik Avdiaj, thekson se propozimet e kryetarit Rama nuk janë të paarsyeshme, por nuk japin zgjidhje të problemit.
Siç thotë Avdijaj fillimisht duhet rishikuar procesi i vlerësimit të pronave dhe çfarëdo formule që përdoret per vlerësim të patundshmërive duhet të merret për bazë edhe inflacioni.
“Fillimisht duhet rishikuar procesin e vlerësimit të pronave. Viti që lamë pas nuk ishte një vit i zakonshëm dhe situata e krijuar ndikoi për marrje të masave jo të rëndomta. Prandaj, vlerat reale të pronave të paluajtshme janë ndikuar në masë të madhe nga çmimet e ndërtimit dhe ndryshimeve drastike të tregut. Çfarëdo formule që përdoret për vlerësimin e patundshmërive, në fakt duhet të marrë për bazë edhe inflacionin”, theksoi Avdijaj.
Sipas tij vlera e përcaktuar e pronave rëndon buxhetin e familjeve në Kosovë prandaj është masë urgjente që të bëhet rishikimi i tatimit në pronë përmes ndryshimeve ligjore apo vendimeve me efekte të menjëhershme.
“Së 2-ti, gjithnjë duke supozuar që procesi i vlerësimit të paktën i ka plotësuar kriteret minimale dhe nuk është realizuar “paushall”, edhe si i tillë ka përcaktuar vlera të pronave që e rëndojnë barrën buxhetore të familjeve në Kosovë. Në situatën e dhënë, institucionet duhet urgjentisht të ndërmarrin masa të gjithanshme dhe sistematike në lehtësimin e krizës për qytetarët, përfshi edhe rishikimin e tatimit në pronë, qoftë përmes ndryshimeve legjislative apo vendimeve me efekte të menjëhershme”, vazhdoi ekonomisti Avdijaj.
Duke folur për propozimet e të parit të Prishtinës lidhur me vlerësimin e tatimit në pronë ekonomisti Avdijaj tha se janë propozime të arsyeshme por se nuk janë zgjidhje në plan afatgjatë.
“Së 3-ti, propozimet e kryetarit Rama për shtyrjen e tatimit sipas vlerësimit të vitit 2022 për të filluar nga viti 2024 dhe subvencionimin e pjesrishëm nuk janë të paarsyeshme, por ato nuk i japin zgjidhje problemit. Kjo për shkak se sikur shumë vendime të tjera të institucioneve, po preken në mënyrë pothuajse të njëjtë të gjitha kategoritë e shoqërisë në vend. Edhe në rast se ndodh subvencionimi potencial, duhet të identifikohen kategoritë përfituese që me të vërtetë kanë nevojë dhe të mos shpërndahet paraja publike njësoj si tek i pasuri si tek i varfëri. Kjo as nuk është zgjidhje në plan afatgjatë. Një angazhim institucional dhe shoqëror do duhej të ndërtonte strategji të zhvillimit të hovshëm ekonomik për të rritur mirëqenien dhe standardin e jetës së qytetarëve, ashtu që tema të tilla si tatimet në pronë, skemat sociale apo ngritja e çmimeve të mbesin çështje të së kaluarës. Dhe vendi jonë i posedon të gjitha resurset për të hapëruar drejt modeleve të shteteve më të zhvilluara të botës”, përfundoi Avdijaj.
Më poshtë paraqesim 3 propozimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës për “zbutjen” e tensioneve për rritjen e vlerës së tatimit në pronë.
1.Mbledhja e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të pronave të kryer nga Ministria e Financave të fillojë nga data një janar 2024, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Tatimin në Pronë.
2.Ndryshimi i Ligjit të Tatimit në Pronë sipas pikës një të këtij propozimi ia mundëson Kryeqytetit që gjatë vitit 2023 të faturojë dhe të mbledhë tatimin në pronë sipas vlerave të faturimit të vitit 2022.
3.E inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që nga buxheti qendror të subvencionojë faturat e tatimit në pronë të vitit 2023, në vlerë deri në 100 eurot e para të faturimit. Arjanita Osmanaj /InLajmi/