Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, priti në zyrën e tij Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të QUINT-it në OSBE dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, përcjell InLajmi.
Diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të QUINT-it në kuadër të fushëveprimit të OSBE-së dhe se si ky bashkëpunim mund të thellohet gjatë gjysmës së dytë të mandatit qeverisës. Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e OSBE-së dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë institucioneve të Republikës.
Ai i njoftoi ambasadorët me zhvillimet e fundit në vend dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Evropian
Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, për të cilin Kryeministri Kurti tha se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara.
Ambasadorët vlerësuan ndryshimet pozitive në vend dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma. Në të njëjtën kohë, konfirmuan mbështetjen e vendeve të tyre ndaj Kosovës.
Ambasadorët e QUINT-it në OSBE janë Michael Carpenter, Përfaqësuesi i Përhershëm i ShBA-së, Christine Fages, Përfaqësuese e Përhershme e Francë, Gesa Braeutigam, Përfaqësuese e Përhershme e Gjermanisë, Stefano Baldi, Përfaqësuesi i Përhershëm i Italisë dhe Neil Bush, Përfaqësuesi i Përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar. /InLajmi/