Policia e Kosovës nuk është e kënaqur me pagat e reja. Edhe pse Qeveria e Kosovës tha se, përmes Ligjit të ri për pagat në sektorin publik, rriti pagat e zyrtarëve policorë, nga Policia e Kosovës thonë se, me ligjin e ri, për disa pjesëtarë madje parashihet edhe ulja e pagave.
Më 1 shkurt, ekzekutivi njoftoi se vlera e koeficientit të pagave do të jetë 105 euro.
Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Presidentes së shtetit i është caktuar koeficienti më i lartë, sipas të cilit ajo do të ketë pagën më të madhe.
Rreth 83.000 punonjës të sektorit publik marrin pagë nga buxheti i shtetit. Me koeficientët e rinj, Qeveria ka thënë se synon të krijojë barazi në mesin e shërbyesve publikë.
Policia e Kosovës numëron një staf prej afër 10.000 personash. Koeficientin më të lartë e ka drejtori i Përgjithshëm (14.5), kurse më të ulëtin (2) e kanë kadetët policorë. Besohet se pjesa më e madhe e pjesëtarëve në Policinë e Kosovës kanë pozitën polic i lartë, koeficienti i së cilës është 5.9, që përkthehet në pagë bazë prej 619 eurosh.
Drejtuesi i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë se me koeficientët e rinj, Qeveria ka bërë rritje minimale të pagës bazë, prej 20 deri në 60 euro, për disa kategori brenda Policisë. Por, në anën tjetër, thotë se janë ulur shumë paga.
Ai thekson se te disa kategori të zyrtarëve policorë ka ulje të pagës.
“Te shumica e kategorive, qoftë te hetimet, qoftë te njësitë e specializuara apo kategoritë tjera, te një numër i konsiderueshëm, ka zbritje, nuk ka ngritje të pagës. Tek ata që ka ngritje, ngritja më e madhe mund të jetë deri në 50-60 euro”, thotë ai.
Rritet paga bazë, por ulen shtesat
Deri më tani, pagat bazë në shumicën e kategorive kanë qenë më të ulëta, krahasuar më këto që i ka prezantuar Qeveria e Kosovës me Ligjin e ri për paga.
Megjithatë, zyrtarët policorë kanë marrë më shumë pagë, pasi kanë pasur edhe shtesa të tjera, si ajo e përvojës së punës, për rrezikshmëri, për punë jashtë orarit dhe për punë në ndërrimin e natës.
Ligji i ri, i prezantuar nga Qeveria, rrit pagën bazë, por pritet të zvogëlojë vlerën e shtesave, pasi aty thuhet se për këto shtesa mund të shfrytëzohet vetëm 1% e buxhetit të Policisë së Kosovës, shkruan REL.
Buxheti vjetor i Policisë së Kosovës për 2023 është mbi 115.000.000euro, ndërsa 1 % e këtij buxheti është 1.000.000 euro.