Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit që ka zhvilluar të premten në Stamboll me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se në këtë qytet ka nisur “një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”.
Ai në një konferencë për media pas darkës së punës, Kurti ka deklaruar se që nga poeti prishtinas i shekullit të 16-të, Mesilu e deri te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ka qenë gravitim i popullit shqiptar.
“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të presidentit Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit – kryeqendër e 2 perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash. Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shekullit të 16-të, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte gravitim edhe i popullit tonë. Për ne Samiu është ndër etërit e rilindjes sonë kombëtare, për popullin turk konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, ku student ishte Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban sot Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”, është shprehur kryeministri.
Ai tutje ka thënë se me presidentin Erdogan kanë biseduar për raportet miqësore Kosovë-Turqi dhe për mënyrat se si mund t’i thellojnë ato me siç ka thënë, vullnetin e dyanshëm që kanë.
“Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes. Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Jemi gjithmonë mirënjohëse për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin dhe paqen në vend; për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve; shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Republikës sonë; dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme”.
“E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të 2-jat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, një nga synimet kryesore të Qeverisë Kurti është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitorë të huaj, në mënyrë që të krijohet ekonomi e qëndrueshme.
“Turqia është ndër partnerët tonë kryesor ekonomik dhe tregtar. Kjo na gëzon, por nuk duhet të na mjaftojë. Le ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për ta arritur potencialitetin e madh të tij. Në Kosovë kemi komunitetin turk i cili ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, por jo vetëm, komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Sot, përfaqësues të këtij komunitetit janë kudo në institucionet qendrore e lokale të Republikës së Kosovës duke dhënë kontributin e tyre për një Kosovë më të mirë, e për mirëqenie më të lartë”.
“Në anën tjetër, qytetarët e Republikës së Turqisë me origjinë nga Kosova po ashtu kanë luajtur një rol të veçantë me kontributin e tyre përgjatë historisë së Turqisë. Ata edhe sot janë një komunitet shembullor e i suksesshëm në Turqi. Bashkëjetesa është vlerë e të 2 vendeve tona. Komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi, janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve tona. Bazën e kemi të mirë. Lidhjet e forta. Vullnetin e madh. Andaj, le të angazhohemi për më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë shkëmbim”.