Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj është takuar me drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qëndrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, përcjell InLajmi.
Haradinaj tha se në këtë takim theksoi rolin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Shtëpisë së Bardhë drejt perspektivës euroatlantike të Kosovës.
Më tej ai tha se Kosova është me fat që gjendet përkrah Amerikës.
Postimi i plotë i tij:
Pata nderin të takoj z. Adi Muzurovic, drejtor për Ballkanin dhe Evropën Qëndrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC).
Në takim me z. Muzurovic theksova rolin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Shtëpisë së Bardhë drejt perspektivës euroatlantike të Kosovës për Partneritetin për Paqe dhe në anëtarësimin e saj në NATO. Theksova urgjencën e arritjes së marrëveshjes Kosovë – Serbi për njohje dhe domosdoshmërinë e rolit amerikan në arritjen e kësaj marrëveshje.
Kosova është me fat që gjendet përkrah Amerikës, vend ky që ndihmoi çlirimin dhe ndërtimin e shtetësisë sonë, si aleati jonë strategjik dhe partneri më i besueshëm në çdo proces. /InLajmi/