Qeveria e Kosovës ka publikuar koeficientin e ri të pagave për sektorin publik, i cili për vitin 2023 parashihet të jetë rreth 105 euro, shkruan InLajmi.
Kryeministri i vendit Albin Kurti, deklaroi se ky koeficient sjell barazi dhe ndershmëri mes kategorive të zyrtarëve publikë, mirëpo janë sindikatat e punëtorëve në Kosovë, të cilat shprehin pakënaqësi për koeficientin prej 105 eurove.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës Muharrem Beka, tha për Gazetën InLajmi se vlera e koeficientit për zjarrfikësit është mjaft zhgënjyese.
Tutje, Beka theksoi se zjarrfikësit nuk pajtohen aspak me këtë koeficient, duke marrë parasysh inflacionin edhe krizën që i ka kapluar të punësuarit në Kosovë.
“Kjo vlerë e koeficientit për zjarrfikësit është mjaft zhgënjyese. Zjarrfikësit nuk pajtohen kurrsesi me këtë koeficient, duke marrë parasysh inflacionin dhe krizën që i ka kapluar të punësuarit në Kosovë”, tha Beka për InLajmin.
I pyetur se cilat do të jenë veprimet sindikaliste si reagim ndaj këtij koeficienti të pagave, Beka tha se fillimisht do të konsultohemi me kryesinë dhe pastaj do të dalim me një vendim. Shqipe Vishaj /InLajmi/