Dëme të shumta kanë shkaktuar vërshimet e fundit që kanë përfshirë disa komuna të vendit.
Komuna, që është prekur më së shumti ka qenë ajo e Skenderajt.
Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura ka thënë ditë më parë se vlera e dëmeve në Skenderaj, është mbi 15 milionë euro.
Kjo, ka bërë që afati për kërkesa për kompensim të dëmeve të shtyhet deri të hënën e kësaj jave.
Por, ka shtuar se komisioni është duke punuar dhe se pret që deri të premten të dalin me raport përfundimtar.
“Kërkesat pothuajse kanë përfunduar, afatin e kemi zgjatë ka qenë deri dje. Komisioni është duke punuar, besoj deri të premten sipas asaj që kanë thënë nga Komisioni deri të premten i nxjerrim të dhënat e sakta”, ka thënë Nura.
Si shkak i pasojave të shumta, komuna e Skenderajt ka hapur një fond për të ndihmuar qytetarët të cilët janë dëmtuar nga vërshimet.
Nura, ka thënë se nuk ka shifër të saktë se sa para janë mbledhur në këtë fond, por ka treguar ai se beson që për 2 ditë lista do të bëhet publike.
“Ne kemi me fillu me i publiku, Fondi është i hapur përmes thesarit edhe thesari po e ngadalëson pak vlerën, ende nuk kam shifër të saktë, por njerëzit po vazhdojnë të kontribuojnë në atë fond, besoj që këto dy ditë ka me u publiku lista në vazhdimësi qe më qenë transparent por shifër të saktë nuk kam ende. Nuk e di, nuk po dua të spekuloj, por do të publikohet shpejtë”, ka shtuar Nura, për Front Online.
I pyetur se si është aktualisht situata atje, përgjigja e tij ka qenë “dëmet janë të shumta”.
“Dëme ka shumë, furnizime e këto i kemi përfunduar, ekipet e stafit emergjent janë funksionale sipas kërkesave, po vazhdojnë me i furnizu qytetarët edhe të shohim”, ka shtuar ndër të tjera Nura.
Vërshime ka pasur edhe në komunën e Mitrovicës, Klinës e Istogut.