Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë të ditur se nga sot ka vendosur që zyrtarisht të pushoj aktivitetin e tij politik.
Ai tha se deri te vendimi ka ardhur në koordinim të plotë me familjen dhe për disa arsye, teksa shtoi se “nuk e kisha besuar që individë të caktuar do të degradonin gjithçka, duke shpifur, shantazhuar, blerë e manipuluar vullnetin qytetar, vetëm e vetëm për të fituar pushtet dhe ndikim të pamerituar.
“E para, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur pretendime për të marrë pozita politike dhe pushtet por njëkohësisht nuk i kam ikur dhe nuk do t’iu iku asnjëherë përgjegjësive për t’i shërbyer vendit, në jetësim të amanetit të heronjve, dëshmorëve e martirëve të Lirisë”.
“E 2-ta, pas përfundimit të mandatit tim të parë si kryetar i Skenderajt, i hyra gares edhe për një mandat, duke prezantuar projektet e realizuara dhe programin qeverisës për mandatin e dytë. Këtë e kam bërë në formën më demokratike, në emër të gares fer dhe respektim të ligjit për çka edhe kemi punuar e luftuar me shekuj”, është shprehur Jashari, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Jashari tha se arsyeja e tretë e largimit të tij nga politika është se situata aspak e favorshme në të cilën gjendet shteti.
“E 4-ta në këto rrethana se si zhvillohet politika te ne, si organizohen grupe të caktuara partiake dhe të interesit, duke përvetësuar çdo mjet propagandues, duke shkatërruar e manipuluar gjithçka vetëm për të arritur interesa grupore e individuale, prania ime në politikë, në këtë momentum të tillë nuk mund të vazhdojë”, tha Jashari,
Më tej, ai tha se angazhimin e tij për qytetarët e Skenderajt e ka bërë vetëm me qëllim që t’i shërbej në paqe siç tha, “sikur i shërbyen të rënët në luftë dhe për këtë do të krenohem unë dhe çdo mbështetës e votues i imi deri në vdekje, përcjell Klankosova.tv.
“Opozitën konstruktive në Skenderaj do të vazhdojnë të bëjnë asamblistët e listës së pavarur “Ideal”, së bashku me ish bartësin e listës, Nuredin Lushtaku si udhëheqës i përkohshëm, deri në zgjedhjen e strukturave drejtuese në muajt në vazhdim, duke i dhënë hapësirë secilit qytetar që mendon ndryshe dhe e sheh të domosdoshëm ndryshimin në Skenderaj”