Dihet vetëm një gjë.
Ligji i Pagave do të nis së zbatuari më 5 shkurt.
Kjo, për shkak që i njëjti është dekretuar nga presidentja më 4 janar.
Sipas procedurave pas dekretimit ky ligj hyn në fuqi pas një muaji.
Edhe pse data është ofruar, punëtorët e sektorit publik nuk dinë se sa do të jetë vlera e koeficientit.
Ndërsa, nga Qeveria kanë deklaruar se vlera e koeficientit do të bëhet publike në muajin janar.
Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe pse sot jemi në ditën e fundit të këtij muaji.
Nga Sindikata e Policisë, kanë deklaruar se Qeveria është mbyllë komplet dhe se nuk kanë asnjë informacion.
“Ata kanë deklaruar që deri në fund të janarit do të dihet vlera e koeficientit. Ata nëse edhe sot nuk dalin me vlerën e tij, në realitet Ligji i Pagave në realitet sipas procedurave hyn në fuqi më 5 shkurt. Këta e kanë dhënë premtimin, por a e mbajnë premtimin, a do të dalin sot me vlerë të koeficientit apo nuk do të dalin nuk e di, janë mbyll, nuk donë me dhënë informacione. S’kemi as informata as zyrtare e as jo zyrtare se sa do të jetë vlera e koeficientit”, ka deklaruar kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.
Në media ka qarkulluar një lajm se vlera e koeficientit do të jetë 110 euro.
Kjo, vlerë për Sindikatën e Policisë është e papranueshme
“Është e papranueshme për sindikatën e Policisë sepse realisht me disa nene tjera që janë në Ligjin e Pagave në xhepin e Policit nuk do të ketë rritje page. Do të ketë rritje në pagën bazë por rritje në pagën neto nuk do të ketë dhe mandej në një pjesë bukur të madhe do të ketë edhe zbritje, kështu që është e papranueshme”, ka thënë Zeqiri.
Ai, ka thënë se kanë kërkuar që vlera të jetë 130 euro, por jo të jetë më pak se 120.
E, në rast se është nën vlerën e 120-ëshit, Zeqiri thotë se pakënaqësitë do të jenë të mëdha.
“Ne kemi kërkuar që vlera me qenë 130 euro, por të bëhemi real sado që të jetë më pak se 120 euro është e papranueshme. Pakënaqësitë kanë me qenë jashtëzakonisht të mëdha në Sindikatën e Policisë, dhe në gjithë sektorin publik, prandaj do të reagojmë me gjithçka çka mundemi do të reagojmë”, ka thënë ai.
I, pyetur se cilat do të jenë reagimet e tyre, përgjigja e Zeqirit ka qenë e shkurtë.
“Fillimisht do të paralajmërojmë me shkresa se kjo është e papranueshme për ne, e mandej i kemi strukturat organizative në Sindikatë dhe do të dalim më veprimet tjera që do t’i ndërmarrim”, është shprehur shkurt ai, për Front Online.
Me ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve sillet nga 2 deri në 18 – më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit.