Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të martë përkujtoi 31 vjetorin e rënies së 3 dëshmorëve të shkollës shqipe në Uçë, përcjell InLajmi.
Kurti deklaroi se dëshmoret pos jetës së tyre, ata dhanë edhe kushtrimin e thirrjen kombëtare për mbrojtje të shkollës e të gjuhës shqipe.
Postimi i plotë i tij:
Në 31 vjetorin e rënies së 3 dëshmorëve të shkollës shqipe në Uçë
Në mëngjesin e 31 janarit të vitit 1992, teksa një grup nxënësish filloristë po shkonin në shtëpi-shkolla për të vijuar mësimet, gjatë rrugës kryesore të fshatit Uçë në Istog, ndalohen nga policia serbe. Ndaj nxënësve u ushtrua dhunë psikike përmes kërcenimeve e sharjeve. Pastaj policët serb maltretuan nxënësit edhe fizikisht.
Me t’i dëgjuar britmat e nxënësve, në mbrojtje të tyre dalin banorët e shtëpive në afërsi. Pas rezistencës së tyre karshi policisë dhe kërkesës së tyre për t’i lënë nxënësit e lirë për të shkuar në shkollë, qëllohen për vdekje: Bajram Hoxhaj vdes në vend, Muharrem Hysenaj vdes rrugës për në spital e Hasan Hysenaj vdes pas disa ditësh. Të plagosur mbeten: Imer dhe Azllan Hysenaj. Gjatë ditëve në vijim, policia serbe burgosi e torturoi disa nga familjarët e të vrarëve dhe të plagosurve.
Rënia e 3 dëshmorëve në Uçë ngriti rezistencën për hapjen e shkollave shqipe, të mbyllura nga pushteti shovinist i Serbisë anembanë Kosovës.
Varrimi i tyre qe zgjim kombëtar. U nderuan me një ceremoni ku nxënësit recituan poezi në shqip, u mbajtën fjalime e u ngrit flamuri kombëtar mbi minarën e xhamisë së fshatit Uçë.
Që nga ajo ditë, shkolla e mesme e ulët e fshatit Uçë mbanë emrin “Tre dëshmorët e shkollës shqipe”, duke e kujtuar ndër breza aktin heroik të Bajram Hoxhës, Hasan Hysenaj e Muharrem Hysenaj. Pos jetës së tyre, ata dhanë edhe kushtrimin e thirrjen kombëtare për mbrojtje të shkollës e të gjuhës shqipe.
Sot u bë përurimi i objektit të shkollës së re në fshatin Uçë. Mbanë emrin: “Tre dëshmorët e shkollës shqipe”. /InLajmi/