Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2022, raporton InLajmi.
Hulumtuesi i lartë në KDI, Eugen Cakolli, thotë se Kosova për vitin 2022 është vlerësuar me 41 pikë në bazë të indeksit për luftimin e korrupsionit, duke u renditur kështu në vendin e 84-të nga 180 shtete të botës.
“Për vitin 2022 rezultatet e Indeksit tregojnë që disa shtete të botës kanë pasur fare pak apo nuk kanë pasur progres në luftimin e korrupsionit duke bërë që 2/3 e shteteve të botës të jenë në anëtare të pranueshme prej 50 pikësh ku bën pjesë edhe Kosova. Për vitin 2022 Kosova është e vlerësuar me gjithsej me 41 pikë duke u renditur në vendin e 84 nga 180 shtete të botës. Ky rezultat reflekton një trend të vazhdueshëm dhe inkurajues të njehsimit të Kosovës në këtë indeks krahasuar me vitet e kaluara. Në raport me vendet tjera të Ballkanit, Kosova renditet e 2-të pas Malit të Zi ndërsa lë pas vetes Maqedoninë e Veriut me 40 pikë, Shqipërinë dhe Serbinë me nga 36 pikë si dhe Bosnje Hercegovinën me 34 pikë”, tha ai. /InLajmi/