Mungesa e barnave esenciale vazhdon të mbetet problem kyç në Klinikat e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, pasi në shumë raste pacientët detyrohen t’i blejnë ato vetë, shkruan InLajmi.
Pacientët, krahas sëmundjeve dhe gjendjes së rënduar ekonomike, hallin e kanë edhe te sigurimi i barnave, ku shpeshherë për shkak të mungesës, barra për sigurimin e medikamenteve u mbetet atyre, e të cilat kushtojnë jo pak.
Por ndryshe nga ky realitet, Ministria e Shëndetësisë për Gazetën InLajmi konfirmon se Lista Esenciale e barnave realizohet deri në 70%, përqindje kjo dukshëm e lartë, e cila nuk përputhet me ankesat e pacientëve në Klinikat e SHSKUK-së.
Gjithashtu nga kjo ministri theksojnë se furnizimi me material shpenzues i klinikave të SHSKUK-së shkon në 90%, gjithashtu përqindje kjo, e cila nuk arsyetohet derisa shpeshherë pacientët edhe materialin shpenzues ndodh që ta sigurojnë vetë.
“Ministria e Shëndetësisë ka në kompetencë furnizimin e institucioneve të kujdesit parësor shëndetësor dhe disa programe specifike, ku përqindja e furnizimit sipas planifikimit të institucioneve nga lista esenciale e barnave është mbi 70%, ndërsa me material shpenzues është mbi 90%”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Tutje, zyrtarë nga kjo ministri njoftojnë se për këtë vit janë ndarë shuma milionëshe për sigurimin e barnave për kujdesin primar, sekondar dhe terciar.
“21.161.734 milion euro janë për barnat në Kujdesin Parësor Shëndetësor, përfshirë edhe barnat për sëmundjet e rralla që sigurohen nga MSH, ndërsa 36 milion euro janë për barnat spitalore, të cilat janë në buxhetin e SHSKUK-së”
Ndryshe, nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se edhe këtë vit ka filluar revidimi i listës së barnave esenciale nga profesionistët shëndetësorë.
“Është formuar Komiteti për revidimin e Listës së Barnave Esenciale dhe ka disa muaj që ka filluar puna për revidimin e listës esenciale të produkteve. Profesionistet e të gjitha fushave janë duke punuar për revidimin e listës sipas standardeve ndërkombëtare mbështetur në parimet e OBSH-së”.
Nga ana tjetër, nga Barnatorja Qendrore e QKUK-së bëjnë të ditur se furnizimi me barna nga lista esenciale po përmirësohet ndjeshëm nga dita në ditë, por nuk përjashtojnë as mungesën e tyre.
“Liferimet e barnave dhe materialit medicinal janë duke u realizuar çdo ditë duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin. Mungesa mund të ketë për produktet, të cilat nuk janë liferuar ende nga ana e operatorëve ekonomik, pastaj mungesa për shkak të pamundësisë së kontraktimit të produkteve”, thuhet në përgjigjen me shkrim të drejtoreshës së Barnatores Qendrore të QKUK-së Shqipe Fetahu.
E pyetur se cilat barna nga lista esenciale janë më të kërkuarat, drejtoresha Shqipe Fetahu thotë se kërkesat më të mëdha janë për citostatik, si dhe për barnat kundër hepatitit dhe sklerozes multiple.
Përqindja e furnizimit me barna dhe material shpenzues, raportet e SHSKUK-së për vitet 2018-2022
“Në krahasim me vitin e kaluar rritja më e ndjeshme në kuadër të shpenzueshmërisë së barnave është kryesisht në citostatik, në barnat kundër hepatitit, barnat e sklerozes multiple”, është shprehur Fetahu.
Edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës theksojnë se është përmirësuar dukshëm furnizimi me barna në spitalet e këtij institucioni referent për gjithë Kosovën, me theks ka përmirësim në shërbimet onkologjike.
“Sipas raportit nga Klinika e Onkologjisë, vetëm nga data12-23 janar 2023, janë furnizuar me citostatikë në vlerë mbi 1.2 milion euro”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.
Sipas raportit të SHSKUK-së, viti 2022 e ka përqindjen më të lartë të furnizimit, pasi siç theksojnë ata, furnizimi me produkte farmaceutike përmbush 98% të kërkesave derisa për material shpenzues përmbush 98.50% të kërkesave, shifër kjo më e lartë në krahasim me vitin 2020 dhe 2021.
Përqindja e furnizimit me barna dhe material shpenzues, raportet e SHSKUK-së për vitin 2019
Ani pse shifrat për sigurimin e barnave janë të larta ashtu si edhe shumat e ndara për furnizim, pacientët dhe familjarët e tyre në QKUK ankohen se ka mungesë të barnave esenciale, e që në shumicën e rasteve ata duhet të shkojnë në barnatore e t’i blejnë vetë në pamundësi për t’ia siguruar spitali.
Një pacient në Klinikën e Infektivës, i cili vuan nga verdhëza dhe mëlqia, deklaroi për InLajmin se barnat është duke i siguruar vetë, duke shtuar se edhe infuzionat po i duhet t’i blejë shpeshherë në pamundësi për t’ia siguruar spitali.
Pacienti, emër i njohur për redaksinë e Gazetës InLajmi, por i cili deshi të mbetej anonim tha se gjendja e tij ekonomike është e vështirë për shkak se është i papunësuar dhe sigurimi i barnave veçse është kthyer në hall tjetër për të, krahas sëmundjes.
“Jam smut prej mëlqisë. Që 2 javë vetë i kam siguru barnat, bile edhe infuzionat u dasht me i siguru vetë. Që 2 javë krejt terapitë vetë u dasht me i ble se nuk ka kurgja spitali. Jam pa punë, pa kurgja edhe po na duhet me i ble”, u shpreh pacienti, i cili u ankua edhe për higjienën në Klinikën e Infektivës.
Edhe familjari i 2 pacienteve që ndodhen në emergjencë, deklaroi për InLajmin se barnat e 2 familjareve të saj që po trajtohen në QKUK është duke i siguruar vetë.
“Barnat i kem siguru vetë, as zavoja (fasha) s’ka. Që 2 ditë që jem këtu po duhet me i ble vetë se s’ka”, tha ai.
Receta e barnave që iu dha një familjari nga mjekët për t’i blerë vetë
Ditë më parë, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku pas takimit me punonjësit shëndetësorë, ka shprehur shqetësimin për gjendjen e mjerueshme në Klinikat e SHSKUK-së, të cilit ia konfirmuan vetë punonjësit shëndetësorë se spitalet po përballen me mungesa të penjëve, të dorëzave, të infuzionave dhe mjeteve higjienike. Shqipe Vishaj /InLajmi/