Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi se në Departamentin e Shtetit Amerikan takoi emisarin amerikan Gabriel Escobar, përcjell InLajmi.
Haradinaj njoftoi se në këtë takim ata diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë nevojën për arritjen e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Postimi i plotë i tij:
U ndjeva i nderuar sot në Departament të Shtetit të takoj emisarin amerikan z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.
Në një takim të hapur dhe të sinqertë diskutuam zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë nevojën për arritjen e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Falënderova z. Escobar për angazhimin e tij dhe të administratës amerikane tash e shumë dekada dhe inkurajova për thellim të marrëdhënieve dhe që mbështetja ndaj Kosovës të shtohet.
Arritjet e Kosovës, nga vitet e 90-ta, lufta çlirimtare dhe shtetndërtimi kanë ndodhur në partneritet të përbashkët. Edhe Marrëveshja Finale duhet të jetë fitore e përbashkët.
Do të punojmë ngushtë me ShBA-të që partneriteti për paqe dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO të arrihet me urgjencë pasi që është jetike për paqe të qëndrueshme në rajon. /InLajmi/