Ambasada Amerikane në Prishtinë tha se Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ajo e presidentes Vjosa Osmani, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në diskutimin për Asociacionin, që do ta organizojë kjo ambasadë më 31 janar.
“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në një përgjigje të zëdhënëses së Ambasadës amerikane, Katherine Judd.
Ambasada amerikane tha se diskutimi për Asociacioni konsiston me qëllimin e Shteteve të Bashkuara për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe është si “reflektim për miqësinë tonë të gjatë dhe mbështetjen për popullin e Kosovës”.
Shtetet e Bashkuara më herët kanë deklaruar se në diskutimin e 31 janarit janë ftuar një grup divers i liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve.
2 partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në diskutimin e organizuar nga SHBA-ja.
Javën e kaluar, gjatë një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë, Kurti kishte deklaruar se ende nuk kishte pranuar ftesë për diskutimin e 31 janarit.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, kanë arritur 2 marrëveshje sa i përket Asociacionit, një më 2013 dhe një më 2015, shkruan REL.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen.