Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që të shfuqizohet vendimi për rritjen e tatimit në pronë, përcjell InLajmi.
Sipas AAK-së, propozimi i Qeverisë së Kosovës që tatimpaguesve t’u falen nga 100 euro nga tatimi në pronë përbën veprim antiligjor, pasi sic theksojnë ata, Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë.
Zyrtarë nga AAK thonë se vendimi për rritjen e tatimit në pronë ka goditur direkt xhepin e qytetarëve, në këtë kohë kur çmimet për secilin produkt janë dyfishuar.
Postimi i plotë nga AAK:
Të ndalen mashtrimet, qeveria ta shfuqizojë vendimin për rritje të tatimit në pronë!

Vendimi i Ministrisë së Financave për rritjen e tatimit në pronë, ka goditur direkt xhepin e qytetarëve, në këtë kohë kur çmimet për secilin produkt janë dyfishuar.
Në mungesë të veprimeve serioze në shërbim të rritjes së mirëqenies socio-ekonomike, qeveria paska vendosur që përmes kuvendeve komunale të vazhdojë me mashtrim, me propozimin për faljen e tatimit në pronë për 100 euro. Kjo nismë është anti-ligjore, sepse Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë.
Kjo qasje mashtruese duhet të ndalet! Të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022! /InLajmi/