Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Auckland, në Zelandën e Re, pasi shiu shkaktoi përmbytje të mëdha, transmeton InLajmi.
“U desh vetëm një gjysmë dite për të mposhtur rekordin e mëparshëm ditor të reshjeve”, tha Instituti Kombëtar i Kërkimeve të Ujit dhe Atmosferës.
Kryeministri i Zelandës së Re, Chris Hipkins, deklaroi se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vend pas përmbytjeve.
“Të gjitha agjencitë përkatëse qeveritare janë duke punuar në mënyrë të pandërprerë për të ndihmuar në një sërë rrethanash të jashtëzakonshme. Reagimi emergjent është duke u zhvilluar dhe qeveria është e gatshme të ndihmojë sipas nevojës”, tha ai, shkruan Flood.list.
Rrugët kryesore janë bllokuar nga përmbytjet, rrëshqitjet e dheut ose automjetet e bllokuara, duke shkaktuar ndërprerje të rënda të trafikut në të gjithë rajonin e Auckland. Terminali ndërkombëtar i Aeroportit të Auckland është mbyllur për shkak të përmbytjeve. /InLajmi/