Skenderaji, Klina, Podujeva, Peja, Mitrovica u goditën nga vërshimet javën e kaluar, por asnjë nga to nuk i shpëtoi dëmeve të mëdha materiale, shkruan InLajmi.
Një komunë që pësoi dëme të mëdha është edhe Podujeva, e kryetari i kësaj komune Shpejtim Bulliqi thotë për InLajmin se dëmet nga vërshimet vetëm nga rezultatet preleminare kanë arritur shifrën e mbi 2 milionë euro.
“Komisioni i ngritur për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore është duke punuar në teren për evidentimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara. Prandaj shifra të sakta ende nuk mund të jap, por sipas një vlerësimi preliminar edhe nga ana e inxhinierëve tanë dëmet në infrastrukturën rrugore janë rreth 2 milionë euro”, tha ai.
Bulliqi, tha se meqenëse komuna nuk ka fond për intervenime emergjente jemi të detyruar që për sanimin e dëmeve nga përmbytjet të kërkojmë ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës.
“Komuna ka fond vetëm për intervenime emergjente, por jo edhe për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Ne do të kërkojmë ndihmë nga ana e Qeverisë së Kosovës për të na ndihmuar neve si institucione lokale për të ringritur infrastrukturën rrugore, ndërsa qytetarëve të dëmtuar në shtëpi banimi, biznese apo toka bujqësore t’ju kompensohet dëmi i shkaktuar”, tha ai.
Ndryshe, edhe komunat e tjera të prekura nga vërshimet kanë mbetur me shpresën se dëmet e shkaktuara do të kompensohen nga Qeveria e Kosovës, madje disa nga to kanë hapur edhe Fonde Emergjente për Vërshimet.Shqipe Vishaj/InLajmi/