U bënë një javë nga dita kur qytetarëve të Komunës së Skënderajt, Mitrovicës, Istogut, Pejës, Klinës, Podujevës, para syve shiu ua mori pothuajse gjithçka që kishin krijuar vite me radhë, shkruan InLajmi.
Më e dëmtuara nga përmbytjet e shiut javën e kaluar duket të jetë komuna e Mitrovicës, ndërsa përllogaritjet preliminare të dëmeve në ekonomitë familjare, bizneseve e infrastrukturë arrijnë vlerën mbi 13 milionë euro.
Për vlerën financiare të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet për Gazeta InLajmi, flet drejtori i Emergjencave në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni i cili tha se për vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet kanë formuar 3 komisione atë për ekonomitë familjare, biznese, infrastrukture dhe bujqësi e që sipas tij dëmet janë tejet të mëdha.
“Ne si komunë kemi formuar 3 komisione për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, komisionin për dëmet ndaj bizneseve, atë të ekonomive familjare si dhe infrastrukture dhe bujqësi, ndërsa sipas të dhënave preliminare që kemi bërë janë mbi 13 milionë euro dëme të shkaktuar nga vërshimet”, tha për InLajmin drejtori i Emergjencave në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni.
Për sanimin e dëmeve nga përmbytjet e shiut deri me tani nga Qeveria e Kosovës nuk është ndihmuar as edhe një komunë e për këtë Maxhuni tha se mbesin me shpresën se do të ndihmohen nga qeveria sepse duhet të rindërtohen shtëpitë e dëmtuara dhe qytetarët të kthehen në vendbanimet e tyre.
Maxhuni tha se ekzekutivi tashmë është njoftuar për dëmet materiale në komunën e Mitrovicës përmes raportit të dorëzuar nga organet kompetente komunale.
“Raportin e dëmeve të shkaktuara e kemi dorëzuar në Qeverinë e Kosovës. Me të vërtetë kemi nevojë me i rindërtuar shtëpitë sepse populli duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Qeveria tashmë e ka të qartë vlerën e dëmeve dhe mbetet të shihet se sa do të na ndihmojë”, tha Maxhuni. /Arjanita Osmanaj/ /InLajmi/