Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur pas takimit që pati mbrëmë me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, ku ky i fundit tha se u pajtuan për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Kurti tha se ka insistim nga faktorë ndërkombëtarë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ashtu siç është nënshkruar më 19 prill 2013, e më pas edhe i elaboruar në 7 kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit të vitit të theksohet edhe më shumë.
“Por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, pasi është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Është e theksuar në kuptimin juridik, e kushtetues”, është shprehur Kurti.
Tutje, kreu i qeverisë tha se diplomacia fluturuese i është bashkëngjitur edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca, Gjermani e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti tha se propozimi i BE-së i ka 5 fjalë në preambulë dhe 10 nene gjithsej, për të cilin tha se kur e kanë marrë më 9 shtator, ka thënë se është bazë e mirë për diskutime tutje.
“Ajo çka ne theksojmë është se në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër, pra s’ekziston hierarkia e atyre marrëveshjeve. Ato 33 marrëveshje janë të vendosura në një rrafsh horizontal”.
“Ndërkaq, në anën tjetër, këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sillet i pari, si parakusht. Dhe, mos të harrojmë asnjëherë se marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj bëhet normalizimi i plotë i raporteve mes Kosovës e Serbisë”, është shprehur Kurti, shkruan Klankosova.tv.
Më tej, Kurti tha se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, por siç tha ai, asnjë nga 33 marrëveshjet e nënshkruara më herët s’mund të ketë prioritet hierarkik, ndërsa sipas tij, nenet në propozimin e BE-së kanë numra përpara, që i bie se kanë renditje.