Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka kritikuar ashpër bashkëpartiakun e tij Armend Muja i cili kualifikon rastin e ambasadorit Martin Berishaj, “skandal” për të cilin duhet të përgjigjet gjithsecili për vete, përcjell InLajmi.
Abazi deklaratën e Mujes e quan skandaloze dhe të papërgjegjshme, ndërsa i sugjeron bashkëpartiakut të tij që të merret me çështje sociale dhe ekonomike, duke shtuar se fusha e politikës së jashtme kërkon durim disa vite.
Për më tepër Abazi tha se deklarata e Mujes është sulm direkt në shërbimin diplomatik dhe integritetin e diplomatëve.
Postimi i plotë i tij:
Deklarata e deputetit Muja në TV Dukagjin sonte me ç’rast kualifikon rastin e ambasadorit Berisha si “skandal për të cilin duhet përgjigjur secili për vete”, është deklaratë skandaloze e papërgjegjëshme dhe si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë e denoj dhe distancohem. Ky është një sulm direkt në shërbimin diplomatik dhe integritetin e diplomatëve.
Sygjeroj që Muja të flet për tatimet në pronë, diskriminimin në pensionet e 90ve, për mungesën e skemës së sigurimit shëndetsor, për fondin sovran, bankën zhvilllimore, sigurimin jetësor të policëve dhe ushtarëve të FSK dhe implikimet buxhetore e financiare, Natyrisht me të dhëna dhe analizë studimore jo përmendësh dhe me formë arbitrare. Ndërsa për fushën e Politikës së Jashtme do të duhej të kishte durim disa vite./InLajmi/