Që pas pandemisë, ngritja e çmimeve ka filluar të shndërrohet në shqetësimin kryesor të qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen vazhdimisht me papunësinë, pagat e ulëta, krizën energjetike dhe evazionin fiskal, shkruan InLajmi.
Në vendin tonë rritja e çmimeve është reflektuar së pari tek produktet bazike ushqimore, të cilat veçse ia kanë vështirësuar edhe më shumë jetën e qytetarëve. Kjo rritje e çmimeve në grupin e produkteve ushqimore bazë ka krijuar një problematikë shumë të madhe për shtresat më të varfra të shoqërisë.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë periudhës nga dhjetori 2021-2022, çmimi i miellit u rrit për 27.69% derisa çmimi i bukës u rrit për 21.42%. Në periudhën e njëjtë edhe qumështi ka pësuar rritje për 35.86%. Ngritje të çmimeve nga produktet bazike ka pësuar edhe vaji, i cili në periudhën e njëjtë është rritur për 29.58%.
Mjaft shqetësuese situatën e ngritjen së çmimeve e sheh kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve Selatin Kaçaniku, i cili në një deklaratë për InLajmin, thotë se procesi i ngritjes së çmimeve në Kosovë ka filluar që 10 vjet, por sipas tij, asnjë qeveri deri tani nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për këtë çështje.
“Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorit vazhdimisht ka alarmuar në ngritjen e çmimeve. Procesi i ngritjes së çmimeve në Republikën e Kosovës ka vazhduar përmbi 10 vjet, por asnjë qeveri deri tani nuk ka ndërmarrë asgjë”, tha ai për InLajmin.
Kaçaniku njofton se për shkak të mospërfilljes së kërkesave të kosumatorëve nga Qeveria e Kosovës “Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorëve” ka pezulluar çdo aktivitet nga 15 marsi i vitit të kaluar.
“Pas sabotimit të qytetarit konsumator, rrjedhimisht edhe shoqatës së konsumatorëve nga qeveria dhe MINT dhe nga ministritë e tjera relevante, shoqata e konsumatorëve më 15 mars të vitit të kaluar për Ditën botërore për të drejtat e konsumatorëve në mënyrë demonstrative në shenjë proteste i ka pezulluar aktivitetet e saj”, tha Kaçaniku.
Kryetari i kësaj shoqate njofton se me probleme të tilla janë përballur që 16 vjet, pasi siç thekson ai, qeveritë në përgjithësi kanë qenë të painteresuara për kauzën për të drejtat e konsumatorëve.
“Ne si shoqatë nuk kemi mundur që për 16-17 vite të shtyhemi, të bartemi e të masim forcat me qeveritë e painteresuara për kauzën për të drejtat e kosumatorëve”, tha ai.
Nga ana tjetër, ekonomisti Neshat Podvorica, tregon se ndër faktorët që ndikuan në rritjen e çmimeve në Kosovë kanë qenë pandemia dhe lufta në Ukrainë, por nuk përjashton as faktorët e brendshëm si rënia e kërkesës agregate.
“Gjatë kësaj periudhe kohore Kosova është perballur me inflacionin, kryesisht për shkak të faktorëve të jashtëm, e që janë pandemia dhe fillimi i luftës në Ukrainë. Në këtë rast politikat fiskale kanë qenë të kufizuara”, tha ai për InLajmin.
Podvorica sugjeron qeverinë që të stimulojë kërkesën agregate për të “luftuar” ngritjen e çmimeve.
Ndërsa, sot ngritja e çmimeve në Kosovë, perveç faktorëve të jashtëm të lartëcekur, vjen për shkak të rënies së kërkesës agregate, kryesisht konsumit dhe këtë rënie të kërkesës firmat mundohen ta kompensojnë me ngritjen e çmimeve për të siguruar së paku të hyrat paraprake. Ne këtë rast, Qeveria në periudhe afatshkurtër duhet të stimulojë kërkesën agregate”, tha Podvorica.
Ndryshe, për të lehtësuar gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës për shkak të inflacionit Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, duke u dhënë nga 100 deri në 50 euro qytetarëve të saj, por kjo u cilësua shpesherë nga analistë e politikanë si “lëmoshë” dhe jo zgjidhje afatgjate për të përballuar krizën ekonomike. Shqipe Vishaj /InLajmi/
Tabela e rritjes së çmimeve të produkteve bazike për vitin 2021-2022: