Konferenca e paraparë të mbahet këtë të mërkurë nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u bujkotua nga gazetarët për shkak të vonesave që pati kabineti qeveritar, përcjell InLajmi.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, ka arsyetuar vonesën e kabinetit qeveritar, duke thënë se kishin një takim të brendshëm.
Tutje, ai thotë se kjo situatë ka mundur të shmanget, pasi konferencat për medie janë në interes për publikun.
Sipas Kryeziut, kjo konferencë nuk u realizua, pasi interesi publik nuk u vendos në rend të parë nga mediet.
Postimi i plotë i tij:
Shprehim keqardhje për atë që ndodhi sot. Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar. Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht. Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë. /InLajmi/