Viti 2022 duket se ka qenë i mbarë për turizmin në Shqipëri sipas të dhënave të institutit kombëtar të statistikave INSTAT.
Të dhënat e publikuara sot tregojnë numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri gjatë vitit të kaluar kapi shifrën rekord 7.54 milionë, duke u rritur me 32.6 % në krahasim me vitin 2021.
Ajo që vihet re është se pothuajse gjysma e vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri vitin e kaluar janë nga Kosova (mbi 3 milionë). Kjo tregon edhe njëherë rëndësinë që kanë pushuesit nga Kosova për turizmin në Shqipëri.
Në të njëjtën periudhe numri i shqiptarëve që udhëtuan jashtë pësoi rritje të ndjeshme. Të dhënat tregojnë se, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2022 është 5.9 milionë persona duke u rritur 40.4 %, krahasuar me vitin e mëparshëm.
Gjatë vitit 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3.6 herë dhe Anglia me 85.9 %, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 14.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, shkruan Telegrafi.
Vizitorët nga Maqedonia e Veriut dhe Italia renditen të 2-tët dhe të 3-të për numrin e hyrjeve pas Kosovës me rritje 19 % dhe 74 % që në numër është 631 mijë dhe 561 mijë hyrje të shtetasve nga këto vende.