Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Avdullah Hoti kritikoi qeverinë për mos ndarjen e parave për familjet e prekura nga vërshimet, përcjell InLajmi.
Ish-kryeministri Hoti kujton se rezerva shtetërore është për situata kur ndodhin shpenzime të paparashikuara.
Më tej Hoti ftoi qeverinë tu ndajë këtyre familjeve menjëherë një shumë fikse për gjërat elementare të jetës.
Postimi i plotë i tij:
Vërshimet – ende asnjë cent nuk është ndarë nga Qeveria për familjet e prekura.
Shumë vendime qenkan marrë në mbledhjen e Qeverisë sot, por asnjë cent nuk qenka ndarë për kompensimin e familjeve që pësuan nga vërshimet në Skënderaj, Klinë, Istog, Mitrovicë e komuna të tjera. Rezerva shtetërore është për situata kur ndodhin shpenzime të paparashikuara.
Ftoj Qeverinë tu ndajë këtyre familjeve menjëherë një shumë fikse për gjërat elementare të jetës: shporet, frigorifer, shtrat, tepihë dhe ushqime bazike. Disa familje kanë humbur edhe rrobat e trupit. Ka familje me të moshuar e fëmijë shumë të vegjël, të cilët nuk mund të kthehen në shtëpitë e vërshuara pa u meremetuar plotësisht. Asnjë meremetim nuk mund të bëhet në këto kushte atmosferike.
Ka kohë për vlerësim të detajuar të dëmeve, si në ekonomitë shtëpiake, ashtu edhe në biznese e bujqësi. /InLajmi/