Banorët e komunave të prekura nga vërshimet janë shprehur të shqetësuar për rrezikun e përhapjes së ndonjë epidemie. Ata thonë se këtë situatë po e bënë më shqetësuese fakti që uji ia mori dhjetëra kafshë me vete. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë thënë se komunat e kanë obligim që t’i groposin kafshët e ngordhura, derisa nga IKSHPK kanë bërë thirrje që uji të vlohet para përdorimit.
Përpos dëmeve të mëdha materiale që lanë pas vërshimet, qytetarët e komunave më të prekura nga to tashmë po frikësohen edhe për përhapjen e ndonjë sëmundje ngjitëse.
Vërshimet e disa ditëve më parë, e kanë lënë në këtë gjendje oborrin e shtëpisë së familjes Osaj nga Klina e Epërme e Skenderajt.
Ani pse kanë një javë që po mundohen ta pastrojnë, dëmet që u’a shkaktuan vërshimet janë të mëdha.
Ndërsa, familjarët hallin më të madh e kanë te mbeturinat që lumi i ka mbledhur afër shtëpive.
Sipas kryefamiljarit Shaqir Osajt, frikën për përhapjen e ndonjë sëmundje të mundshme ua ka shtuar fakti që lumi ua mori me vete 50 pula nga 60 sa i kishte, e me të cilat mbante familjen.
Ngjashëm i ndodhi edhe vëllait tjetër, por atij vërshimet ia morën 2 viça.
Ndërkaq, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë thënë se të gjitha zonat e vërshuara i kanë inspektuar dhe janë duke punuar që aty të mos përhapet ndonjë epidemi, shkruan Kanal10.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publikë tash e disa ditë ka bërë thirrje për vlim të ujit para përdorimit, në mënyrë që të parandalohet shpërthimi i ndonjë epidemie hidrike.