Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takim Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence ku diskutuan për gjendjen e përgjithshme pas vërshimeve që ndodhën në Kosovë, përcjell InLajmi.
Me këtë rast, Sveçla, e njftoi Spence për gjendjen e përgjithshme e cila është për momentin në komunat ku ka pasur vërshime më të mëdha dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz, megjithatë theksoi se dëmet janë shumë të mëdha.
“Menjëherë pas fillimit të vërshimeve, MPB ka ngritur gatishmërinë shtetërore dhe ka bërë koordinimin e veprimeve së bashku me agjencitë ekzekutive dhe komunat, që fillimisht të evakuojnë të gjithë banorët dhe të mos kemi viktima në njerëz”, theksoi ministri.
Ministri Sveçla theksoi se në kuadër të Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme po vijon koordinimi i intervenimeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Po ashtu po bëhet sigurimi i kërkesave të pranuara nga Shtabet Emergjente të komunave.
Ndërsa Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence, e falënderoi ministrin Sveçla për rezymenë e përgjithshme për situatën pas vërshimeve dhe vuri në pah se UN ka gatishmëri që të ndihmojë familjet dhe qytetarët që janë prekur nga vërshimet./InLajmi/