Komuna e Skenderajt është njëra nga komunat në Kosovë e cila u përfshi nga reshjet e shiut që shkaktuan vërshime, shkruan InLajmi.
Shkak i këtyre vërshimeve disa nga shkollat në këtë komunë nuk mbajtën mësim ditën e premte, derisa mësimi nuk do vazhdoj të mbahet edhe në 4 shkolla tjera edhe këtë të hënë.
Lajmin për Gazetën InLajmi e konfirmoi drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në këtë komunë, Kastriot Duraku.
“Mësimi nuk do të mbahet në shkollat: Gjimnazi ” Hamëz Jashari”, ShMLP “Anton Çetta”, Shfmu “Ismet Rrahmani” Aqarevë dhe Shfmu ” Bashkim Sadiku” në Tushilë, të cilat për shkak të dëmeve të mëdha nga përmbytjet nuk kemi arritur ende t’i kthejmë në gjendje normale” deklaroi drejtori i DKA-së në Skënderaj për Gazetën InLajmi.
Mirëpo Duraku shtoi se ata si komunë janë duke punuar intensivisht që në afat sa më të shpejt kohor mësimi të fillojë edhe në këto 4 shkolla.
Më tej Duraku për Gazetën InLajmi foli edhe për kompensimin e orëve të humbura.
“Kompensimi i ditëve të humbura do të bëhet në ditët e shtunë gjatë jave në vijim”, deklaroi ai.
Sa i përket dëmeve materiale ai tha se “komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve është ende në teren, dhe shumë shpejt do ta kemi të gatshëm një raport”. /InLajmi/