Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj bëri të ditur se ai prezantoi të arriturat kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes përgjatë vitit 2022, por gjithashtu dhe planet për vitin 2023, përcjell InLajmi.
Këtë prezantim ai e bëri gjatë punëtorisë të përbashkët me ministrat dhe kabinetet qeveritare të organizuar nga Zyra e Kryeministrit.
Më tej Mehaj deklaroi se viti 2023, do të jetë vit i fuqizimit të ushtrisë, investimit jo vetëm në pajisje por dhe në ngritjen e përgatitjes profesionale të ushtarakëve tanë.
Postimi i plotë i tij:
Në një punëtori të përbashkët me ministrat dhe kabinetet qeveritare të organizuar nga Zyra e Kryeministrit, prezantova të arriturat kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes përgjatë vitit 2022, por gjithashtu dhe planet për vitin 2023, vit ky shumë i rëndësishëm në aspektin e miratimit të Strategjisë së Mbrojtjes, konceptit të rezervës, zgjerimit të bashkëpunimit me shtetet partnere por dhe realizimit të projekteve të shumta kapitale, të cilat do t’i kontribuojnë organizimit të përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës në nivelet më të larta profesionale.
Viti 2023, do të jetë vit i fuqizimit të ushtrisë, investimit jo vetëm në pajisje por dhe në ngritjen e përgatitjes profesionale të ushtarakëve tanë, të cilët do t’i kontribuojnë ruajtjes së paqes dhe stabilitetit jo vetëm në vend dhe rajon por edhe më gjerë, si Forcë anëtare e NATO. /InLajmi/