Pas vërshimeve të fundit, Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një komunikatë, në të cilën njofton se njësitet e Agjencisë së Menaxhimit të Urgjencave po vazhdojnë angazhimin me pompa për largimin e ujit në zonat ku ka pasur përmbytje, përcjell InLajmi.
Gjithashtu në komunikatë theksohet se të premten mbrëma vendi ynë ka kaluar një natë të qetë pas ndaljes së shiut.
Zyrtarë nga ministria bëjnë të ditur se aktualisht po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet.
Çdo kërkesë e qytetarëve do të pranohet dhe do reagohet menjëherë nga institucionet relevante, thuhet tutje në komunikatë.
Komunikata e plotë nga Ministria e Punëve të Brendshme:
Nga mbledhja e raporteve periodike të të gjitha institucioneve relevante, pas ndaljes së reshjeve të shiut, vendi ynë ka kaluar natë të qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara.
Njësitet profesionale të AME-së po vazhdojnë angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet. Aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar 2 ditët e fundit.
Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të vazhdojë koordinimin ndërinstitucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga Komunat dhe nga qytetarët. /InLajmi/