Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, bashkë me pjesëtarët e partisë së tij bënë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, raporton InLajmi.
Abdixhiku tha se Rugova ishte ati themeltar i shtetit të Kosovës, si dhe prijësi unik i lëvizjes nacionale të shqiptarëve.
“Sot nderojmë presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova i cili tash e 17 vjet, por gjurmët e tij dje trashëgimia e tij politike qenësore vazhdon të jetë qenësore për neve dhe për Republikën e Kosovës. Ibrahim Rugova ishte ati themeltar i shtetit të Kosovës, ishte prijësi i shtetit dhe prijësi unik i lëvizjes më të madhe nacionale të shqiptarëve”, u shpreh ai.
Tutje, kryetari i LDK-së thekson se angazhimi i Rugovës për liri e pavarësi është suksesi më i madh i shqiptarëve dhe vetë popullit të Kosovës.
“Po ashtu, ishte shqiptari më i madhi i historisë së popullit shqiptarë dhe angazhimi i tij për liri, pavarësi dhe demokraci është suksesi më i madh historik i shqiptarëve dhe vetë popullit të Kosovës. Sot ndjejmë mungesën e tij, urtësinë e tij, politikën e tij dhe vizionit të tij për një Kosovë demokratike, e ndërlidhur ngushtë me rrugëtimin euroatlantik dhe drejt së ardhmes”, u shpreh Abdixhiku. /InLajmi/