Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, është shprehur i shqetësuar për situatën e rënduar në vend nga vërshimet në disa komuna të Kosovës, përcjell InLajmi.
Haradinaj kërkon që të krijohet menjëherë Fondi Emergjent nga qeveria, pasi siç thekson ai, qytetarët kanë nevojë për ndihmën e shtetit.
Kryetari i AAK-së i drejtohet qeverisë duke i thënë “bëni diçka në jetën tuaj për qytetarin, sepse shteti është i qytetarit e jo i udhëheqjes”.
Postimi i plotë i tij:
Vërshimet në Kosovë, tashmë i kanë marrë përmasat e një fatkeqësie natyrore në nivel kombëtar. Informatat nga terreni flasin për një gjendje tejet të rëndë të mijëra familjeve, të cilat po përballen me mbijetesën.
Kjo e shtron nevojën menjëhershme të krijimit të një Fondi Emergjent nga Qeveria. Qytetarët kanë nevojë për strehim, për ushqim, për ilaçe dhe veshmbathje. Ata kanë nevojë për ndihmën e shtetit. Udhëheqjet komunale e kanë të pamundur të përballen me pasojat.
Fitore e kësaj qeverie sot mund të jetë përballimi i kësaj fatkeqësie natyrore e jo përmbysja e Projektligjit për Trust-in.
Bëni diçka në jetën tuaj për qytetarin, sepse shteti është i qytetarit e jo i udhëheqjes! /InLajmi/