Ministri i Bujqësisë Faton Peci, ka shprehur keqardhje se nuk ndodhet pranë qytetarëve të Kosovës në kohën kur vërshimet kanë prekur disa nga komunat e Kosovës, të cilat kanë shkaktuar kështu edhe dëme të mëdha materiale, përcjell InLajmi.
Peci ka bërë të ditur se ndodhet në vizitë zyrtare në Berlin, por theksoi se ndihet “i lehtësuar” se për gjendjen në vend do të kujdesen kryeministri dhe ministrat.
Sipas tij, kryeministri dhe ministrat po vazhdojnë të bëjnë një punë të palodhshme në teren, duke qëndruar pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe duke aktivizuar të gjithë mekanizmat qeveritar dhe të institucioneve vartëse, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Më lejoni që të shpreh keqardhjen time që për shkak të vizitës zyrtare në Berlin, nuk jam afër qytetarëve në Komunën e Mitrovicës, Skënderajt, Klinës, Istogut e çdo zone të prekur nga vërshimet e orëve të fundit.
Pavarësisht kësaj, Kryeministri dhe kolegët e mi Ministra, bënë dhe po vazhdojnë të bëjnë një punë të palodhshme në teren, duke qëndruar pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe duke aktivizuar të gjithë mekanizmat qeveritar dhe të institucioneve vartëse, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës.
Ndihem i lehtësuar me gjendjen momentale pasi po shkojmë drejt normalizimit të situatës dhe bashkëndjej me qytetarët e prekur të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës që nga shtatori i kaluar ka themeluar mekanizmin koordinues ndër-institucional për reagim të shpejtë e menaxhim të situatave dhe rasteve të tilla, mekanizëm puna e së cilit është për tu përshëndetur. /InLajmi/