Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu këtë të martë i reagoi ashpër presidentes Osmani për mos-reagimin e saj për 5 vjetorin e vdekjes së Oliver Ivanoviqit, përcjell InLajmi.
Deliu tha se tani është koha që Osmani të tregoj se a pajtohet me deklaratën e Albin Kurtit.
Më tej ajo tha se Osmani, po vazhdon qasjen e zakonshme në aktivitetin e saj politik, duke heshtur për temat në të cilat zhytet Albin Kurti.
Postimi i plotë i saj:
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon qasjen e zakonshme në aktivitetin e saj politik, duke heshtur për temat në të cilat zhytet Albin Kurti.
Presidente, sot është dita që të dalësh dhe të mbrosh viktimat e qytetit tënd.
Presidente, sot është dita që të tregosh se a pajtohesh me Albin Kurtin i cili “dëshiron ta mbajë gjallë kujtimin për Oliver Ivanoviqin”, që dikur edhe vetë e quante kriminel lufte?
Presidente, qoftë edhe si bashkëvendase, si mitrovicase, na trego se “nuk do ta harrosh kurrë natën e tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000”.
Presidente, është e ditur publikisht se për natën e tmerrit është i dënuar Oliver Ivanoviq. Prandaj, dil dhe fol!
Dil dhe fol!
Heshtja jote do të thotë se pajtohesh me qëndrimin skandaloz të kryeministrit Kurti. /InLajmi/