Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se qeveria ka për qëllim që kurdo që arrihet një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, të ketë njohjen reciproke në qendër.
Pra, sipas Ahmetit, njohja reciproke është shtylla e çdo zgjidhjeje përfundimtare që sipas tij do të bëhet në të ardhmen.
“Qëllimi i qeverisë së Republikës së Kosovës është që zgjidhja përfundimtare të jetë me njohje reciproke dhe çfarëdo zgjidhje e ndërmjetme që bëhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, gjë e cila mbështetet edhe nga SHBA-të, është deklaruar edhe publikisht nga presidenti amerikan Biden dhe nga kancelari Scholz e gjithashtu nga Parlamenti Evropian. Pra, kjo është shtylla e çfarëdo zgjidhje përfudimtare që do të bëhet në të ardhmen”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka folur me ç’njohjen nga Togo e cila po flitet ditëve të fundit.
Ahmeti ka thënë se një njoftim i tillë nuk qëndron pasi është pozicionim i vitit 2019, pra sipas tij nuk është diçka e re.
Ndërsa, ka theksuar se edhe ç’njohjet për të cilat Vuçiq ka thënë se janë bërë nga 9 vendet e tjera, janë demantuar nga vetë ato vende.
“Ashtu siç ka thënë ministrja Gërvalla njoftimi i djeshëm nuk qëndron, pra përderisa diplomacia nuk po arrin të prodhojë rezultate të reja, po i riciklon lajmet e vjetra. Ai pozicionim i Togos ka ndodhur në vitin 2019 dhe dje nuk kishte asgjë të re. Për më tepër edhe të ashtuquajturat çnjohje nga 9 vendet e tjera të proklamuara nga Vuçiq janë demantuar. Shërbimi ynë i jashtëm, ambasadorët nëpërmjet akreditimeve sekondare mbulojnë edhe ato vende që janë përmendur dhe në komunikim me to është vërtetuar se nuk qëndron. Vetë ato vende kanë demantuar deklaratën e Vuçiq, prandaj nuk ka asgjë të vërtetë nga këto deklaratat e fundit nga Beogradi”, ka thënë Ahmeti.
Tutje, ka shtuar se Serbia vazhdimisht vazhdon fushatat e saj për ç’njohjen e Kosovës, madje një gjë të tillë ky shtet e ka bërë edhe gjatë moratorumit të zotimeve të Ëashingtonit, që të njëjtit ishin zotuar se do ta ndërprejnë fushatën.
“Serbia mban një politikë të njëjtë karshi Kosovës dhe rajonit, e cila është politikë hegjemoniste. Por, sigurisht që kthimi i një personi i cili ka qenë pjesë e regjimit të Millosheviqit nuk përbën lajm të mirë për rajonin. Mduhet të them se Serbia nuk e ka ndalur asnjëherë fushatën e të ashtuquajturave ç’njohje edhe gjatë moratoriumit të zotimeve të Ëashingtonit ku vetë janë zotuar se do ta ndërprejnë këtë fushatë, tri ditë pas këtij zotimi ata e kanë vazhdu fushatën e njëjtë. Dhe ne kemi lobu diku rreth 30 raste gjatë asaj kohe të lobimit të Serbisë kundër Kosovës, pas asaj periudhe deri sot janë edhe më shumë se 30 raste”, ka vijuar ai.
Megjithatë, sipas Ahmetit Republika e Kosovës vazhdimisht punon që fushatat e tilla të Serbisë të mos kenë sukses, por i kushtohet rëndësi zgjerimit të marrëdhënieve diplomatike me vendet tjera, përcjell Tv Dukagjini.
“Republika e Kosovës përmes shërbimit të jashtëm diplomatik punon në baza ditore që kjo fushatë të mos jetë e suksesshme. Ne kemi një strategji proaktive, jemi duke synuar dhe po punojmë që t’i zgjerojmë dhe thellojmë raportet me të gjitha vendet me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike”, ka deklaruar Ahmeti.