Raportin mjekësor e ka me vete. E në rend po pret për ta dorëzuar atë.
Avni Rrecaj është vetëm një nga të shumtët pacientë që kanë ardhur për t’u mjekuar meqë i janë shfaqur disa pacientë që përkojnë me gripin sezonal.
“Dhimbje fytit, kollitje, hundët. Mu po më duket si ma i vështirë se kurrë mbi një natë, dy ditë nuk më ka mbajtë ma shumë gripi ama qiky ish ma i ranë se qe një javë gati me kollitje, me dhimbje fyti”, tha ai.
Simptoma të ngjashme ka pasur edhe Hajredin Kabashi.
“Gjendja fillestare e gripit ishte me ethe dhe temperatura, dmth një gjendje jo stabile e organizmit, megjithatë si manifestim ishte mjaft i rrezikshëm për pacientët”, tha Kabashi.
Fluksi i pacientëve është rritur dukshëm në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
“Tash momentalisht brenda 24 ore mbi 500 pacientë vizitojnë këtë qendër mjekësore këtu në QMF Fushë Kosovë. Prej tyre një përqindje jashtëzakonisht e madhe 30 deri në 40% janë me simptoma të gripit sezonal që është numër shumë I madh. Simptomat janë të njëjta: me ethe, temperaturë, kokëdhimbje, kollitje, dhimbje trupi, plogështi, djersitje e këto”, tha mjeku Remzi Shala.
Sipas tij, komplikime më të mëdha kanë fëmijët dhe të moshuarit.
“Sidomos komplikime po kanë të moshuarit, të sëmurit me sëmundje kronike të traktit respirator dhe atij kardiologjik si dhe sëmundje të tjera me sëmundje malinje si dhe tek fëmijët po kanë probleme. Zakonisht është një grip që po zgjat goxha shumë”, shtoi ai.
Por përveç hallit me sëmundje, qytetarët po përballen edhe me çmimet e larta të barnave.
“Po valla të shtrenjta po janë boll po po duhet, çka me ba”, tha Jetullah Fetahu, shkruan TëVë1.
Simptomat e gripit sezonal janë ethet, temperatura, kokëdhimbja, kollitja, dhimbja e trupit, plogështia e djersitja.