Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndër të tjera ka thënë se Serbia kohët e fundit është shtyrë edhe më shumë drejt Kremlinit.
I pyetur se kur mund të ketë ndonjë përshkallëzim të radhës, Kurti ka thënë se kjo është vështirë të parashikohet.
“Është e vështirë të parashikohet sepse varet nga Serbia. Ekstremistët e mbështetur nga Beogradi kanë ngritur së fundmi 16 barrikada në veri të vendit tonë. Shpresoj se nuk do të ndodhë më. Por Beogradi nuk pranon që ne jemi shtet i pavarur. Po përpiqet të minojë shtetin tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe BE dhe është duke shënuar progres ekonomik. Kjo çon në nervozizëm në Beograd”, ka thënë Kurti.
Duke folur nëse mund të ketë ndonjë përplasje ushtarake mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti ka thënë se shpreson që jo.
“Shpresoj qe jo. Por në të njëjtën kohë, mendoj për faktin se Serbia ka 48 baza ushtarake dhe xhandarmërie në periferi rreth Kosovës. Në kufirin tonë dhe në veri të vendit tonë pamë persona me shenja të bandës nacionaliste ruse të motoçikletave Ujqërit e Natës dhe trupës mercenare ruse Ëagner. Ne jemi të shqetësuar: jo vetëm për Serbinë, por edhe për lidhjet e Serbisë me Rusinë,në një intervistë për DiePress.
Më tej, Kurti ka thënë se Serbia kohëve të fundit është e shtyrë edhe më shumë drejt Kremlinit teksa ka përmendur edhe mosvendosjen e sanksioneve kundër Rusisë si dhe lidhjen e marrëveshjes për gazin me Moskën, shkruan Gazeta10.
“Po, por Serbia kohët e fundit është shtyrë edhe më shumë drejt Kremlinit: Beogradi nuk po merr pjesë në sanksionet kundër Rusisë që u vendosën për shkak të sulmit ndaj Ukrainës. Përkundrazi, Serbia ka lidhur marrëveshje me Moskën për gaz të lirë dhe bashkëpunim në politikën e jashtme. Dhe Aleksandar Vulin, një nga politikanët serbë më pro-rusë, u bë shefi i inteligjencës së Serbisë”, ka thënë Kurti.