Organizata Human Rights Watch publikoi këtë të enjte raportin e saj për Kosovën gjatë vitit 2022, përcjell InLajmi.
Për këtë raport reagoi Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili tha se kaosin, mungesën e kompetencës, keqqeverisjen dhe pasigurinë sociale e politike të krijuar gjatë vitit 2022 në vendin tonë e ka evidentuar edhe raporti i fundit për Kosovën.
Kryetari i PDK-së tha se ky raport dëshmon qartë paaftësinë e kësaj Qeverie.
Më tej Krasniqi theksoi se raporti në fjalë shpërfaq mungesën e përgjegjësisë qeveritare gjatë vitit të kaluar ,por tha ai se është e qartë që qytetarët edhe këtë vit nuk presin asgjë tjetër vetëm abuzim me të drejtat e tyre elementare.
Postimi i plotë i tij:
Kaosin, mungesën e kompetencës, keqqeverisjen dhe pasigurinë sociale e politike të krijuar gjatë vitit 2022 në vendin tonë – e ka evidentuar edhe raporti i fundit për Kosovën i organizatës Human Rights Watch.
Dhuna dhe vrasjet e grave, kërcënimet e gazetarëve nga zyrtarë institucionalë e diskriminimi i të gjitha komuniteteve të margjinalizuara, dëshmojnë detajisht paaftësinë e kësaj Qeverie.
Shpërfaqja e mungesës elementare të përgjegjësisë institucionale në vitin e kaluar, është tregues i qartë se çfarë i pret qytetarët e Kosovës edhe këtë vit nga kjo Qeveri: Abuzim me të drejtat e tyre elementare! /InLajmi/

















