Ambasada e Kosovës në Belgjikë bëri të ditur se gjatë ditës së mërkurë ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami ka takuar ambasadoren e Libisë në këtë shtet, Amel Jerary, përcjell InLajmi.
Nga ambasada bënë të ditur se temë diskutimi në mes të ambasadorëve ishin thellimin e marrëdhënieve mes 2 vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera.
Në njoftimin e ambasadës ndër të tjera thuhet se ambasadori Bajrami gjatë takimit ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e Libisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2013.
Ndryshe ky takim vjen disa ditë pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiq deklaroi se Kosovën e kanë çnjohur 9 shtete e në mesin e tyre edhe Libia.
Por, ndryshe flasin faktet dhe se realiteti është krejt ndryshe në raportet Kosovë-Libi, nga ajo çfarë pretendon (dëshiron) presidenti i Serbisë.
Njoftim i plotë i Ambasadës së Belgjikës në Kosovë:
Ambasadori i Kosovës në Belgjikë dhe BE, z. Agron Bajrami, është takuar sot me ambasadoren e Libisë në Belgjikë, znj. Amel Jerary.
Në një bisedë miqësore, të zhvilluar në ambasadën e Libisë në Bruksel, 2 ambasadorët diskutuan zhvillimet aktuale dhe sfidat e veçanta me të cilat përballen Kosova dhe Libia, përpjekjet e 2 vendeve për forcimin e demokracisë dhe shtetësisë, si dhe situatat e përgjithshme gjeopolitike edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimorë edhe në atë të Magrebit.
Posaçërisht u fol për thellimin e marrëdhënieve mes 2 vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera.
Ambasadori Bajrami u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Libisë, e cila në vitin 2013 e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe prej vitit 2015 kemi marrëdhënie diplomatike. Ai shtoi se tani është koha që këto marrëdhënie të funksionalizohen e thellohen më shumë.
Në anën tjetër, ambasadorja Jerary tha se Libia e mirëpret vullnetin e Kosovës për bashkëpunim më të madh, sidomos në fushën e diplomacisë.
/InLajmi/