Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të mbetet temë aktuale, për çka së fundmi janë intensifikuar edhe përpjekjet nga ana e ndërkombëtareve që diçka e tillë të ndodh sa më parë.
Për një normalizim të mundshëm të raporteve Kosovë-Serbi, ka folur edhe profesori amerikan Alon Ben Meir.
Meir, ka thënë se të gjitha konfliktet në lidhje me pjesën veriore të Kosovës janë të zgjidhshme dhe sipas tij, kjo arrihet vetëm nëse të 2-ja palët bëjnë lëshime të caktuara.
“Të gjitha çështjet konfliktuale që lidhen me pjesën veriore të Kosovës janë të zgjidhshme me kusht që të 2-ja palët, Kosova dhe Serbia , të bëjnë disa lëshime të nevojshme për të arritur një marrëveshje. Por për sa kohë që ata qëndrojnë në pozicionin e tyre aktual, sigurisht që nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje”, ka thënë Ben Meir.
Duke komentuar procesin e dialogut mes të 2-ja vendeve, profesori amerikan ka shtuar se njohja reciproke duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave.
Nëse palët nuk bien dakord për njohje reciproke në fillim të bisedimeve, atëherë sipas Alon Ben Meir, kjo është humbje kohe në këtë proces.
“Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojnë me mirëkuptimin që në fund të procesit të bien dakord për një njohje reciproke. Ky kusht duhet të vendoset që nga fillimi i negociatave. Përndryshe, për mendimin tim, do të jetë përsëri humbje kohe”, ka shtuar Ben Meir.
Ai ka thënë se nëse SHBA-ja dhe BE-ja bëjnë presion tek të 2-ja palët, mund të arrihet një marrëveshje, përcjell Telegrafi.
“Nëse SHBA-ja dhe BE-ja janë të përgatitura të bëjnë presion nga njëra anë dhe të ofrojnë disa nxitje nga ana tjetër, veçanërisht në lidhje me perspektivën e anëtarësimit eventual të Kosovës dhe Serbisë në BE, mund të arrihet një marrëveshje”, theksoi Ben Meir.
https://twitter.com/AlonBenMeir/status/1612222753335115778