Azem Kurtaj, pjesëtar i FSK-së, të premten është përfshirë në një ngjarje në Komunën e Shtërpcës që përfundoi me plagosje të dyfishtë, e cila nxiti reagime të ndryshme në Prishtinë dhe Beograd. Mbrojtja e tij, Naim Ferati, tha se brenda afatit ligjor do të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë, i cili e la Azem Kurtajn në paraburgim për një muaj.
Në njoftimin e gjykatës u tha se pjesëtari i FSK-së ka shtënë në drejtim të 2 vëllezërve, por avokati tha së ai ka shtënë në tokë dhe jo në drejtim të tyre. Njësoj si avokati ishte shprehur edhe nëna e viktimës në ditën kritike.
Të plagosurit 11 vjeç e 21 vjeç ndodhen jashtë rrezikut për jetë, ndërsa për ngjarjen ka deklarata të ndryshme.
Lidhur me këtë situatë ka folur avokati Naim Ferati ku rithekson se Azem Kurtaj ka shtënë me armë zjarri në vetmbrojtje.
“Ne në afatin ligjor do të paraqesim ankesë në shkallën e 2-të, në Gjykatën e Apelit, ku do të kundërshtojmë aktvendimin e gjykatë slidhur me caktimin e masës së paraburgimit për faktin se gjendja faktike e cila është paraqitur nuk është reale dhe është e gabuar. Për arsye se e gjithë ngjarja ka ndodhur rastësisht derisa i mbrojturi nga ana ime ishte duke udhëtuar bashkë me një shok të tij për në Brezovicë për të drekuar dhe gjendet në momente të bllokimit nga masa e qytetarëve në rrugë, i sulmuar aty për aty dhe duke qenë i rrezikuar nga sulmi serioz me qëllim që të largohet nga aty ka nxjerrë armën fillimisht me qëllim që të largohen dhe të ecë rrugës së tij. Por ka shtënë me armë me qëllim që të largohet masa dhe hera e 2-të ka qenë në drejtim të tokës dhe asnjëherë nuk ka shtënë në drejtim të masës, prandaj gjendja që është paraqitur nuk është reale është e gabuar”, tha Ferati për Express.
Ai thotë se turma e ka sulmuar atë dhe klienti i tij ka qenë shumë real dhe i sinqert në deklarimet e tij.