Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë për Front Online se nuk kanë njohur se sa do të jetë vlera e një koeficienti në Ligjin e Pagave.
“Vlerën e koeficientit nuk e dimë, nuk e kanë dhënë, versione e supozime të ndryshme ka që qarkullojnë, por në realitet për mua asnjëra nuk është e saktë, derisa nuk del zyrtarisht ministri i Financave apo Qeveria që të deklarohet se sa është saktë koeficienti”,ka thënë ai.
Sipas tij, nëse vlera e një koeficienti do të jetë më e vogël se 120 euro nuk do ta pranojnë.
“Sigurisht që do të ankohemi, nëse ajo është nën një vlerë po supozojmë 100 apo nën 100 euro është e papranueshme për shkak se tek ne nuk do të ketë rritje të pagave, përkundrazi do të ketë zbritje në shumicën e gradave”, është shprehur Zeqiri.
Kuvendi i Kosovës më 22 dhjetor të vitit të kaluar ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për pagat në sektorin publik.
Ky ligj zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.
Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani sot ka dekretuar Ligjin për Paga dhe atë për Zyrtarët Publik.