Njohësi i marëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula ka thënë se Kosova do të duhej të insistonte për arritjen e një traktati paqeje me Serbinë.
Pula tha se shteti serb po insiston në çështjen e themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa nuk është e interesuar për zbatimin e marrëveshjeve tjera.
“Nëse e shikojmë marrëveshjen e 19 prillit të 2018 një nga pikat e saj është çështja e bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe Serbia e specifikon këtë pikë ngulmon që kjo pikë të jetë në realizim, ndërkaq për pikat tjera nuk kërkon fare, madje e ka lënë të parealizuar në tërësinë e saj atë marrëveshje”,u shpreh ai, duke thënë më tutje se kjo do të ishte e rrezikshme për Kosovën.
Prandaj sipas Pulës, Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të draftojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa lidhur një traktat paqeje me Serbinë, shkruan TëVë1.
“Nëse Brukseli zyrtar do të tolerojë akoma Serbinë për të trumbetuar këtë kërkesë, atëherë Qeveria e Kosovës para vetes ka me pasë një situatë jo të lehtë. Do të ketë një situatë të mundimshme për të arritë deri tek objektivi përfundimtar. Pse po them këtë, sepse do bëhen që të gjithë bashkë për të ngopur apetitin e Serbisë në mënyrë që Qeveria e Kosovës të tolerojë dhe të merret me draftimin e një statuti që ka të bëjë me bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Unë uroj që Qeveria e Kosovës të mos e nisë këtë proces pa e provuar të paktën që të lidhet një traktat paqeje me Serbinë”, shtoi Pula