Shëndetësia kosovare si dhe viteve tjera dhe gjatë vitit 2022 është përballur me probleme të shumta dhe se ka qenë e përfshirë në plot skandale. Përkundër kësaj rreth 4 muaj Ministria e Shëndetësisë, ka funksionuar pa ministër, me ushtrues detyre. E përmirësimet në shëndetësinë kosovare nuk janë dukur askund në horizont dhe se gjendja veçse është rënduar.
Mungesa e barnave është ajo me çka janë përballur pacientët çdo ditë dhe gjatë këtij viti. Ata janë detyruar t’i blejnë barnat pasi që në QKUK mungojnë edhe pse ato gjinden në listën esenciale.
E kësaj mungese vazhdojnë t’i gëzohen Depot e Barnatoret, të cilët bëjnë biznes me shitjen e barnave me çmime marramendëse edhe pse një gjë e tillë nuk u lejohet. Në këtë ambient kaosi në shëndetësi, janë pacientet ata që po pësojnë. Ndërkaq vazhdon të pasurohet biznesi farmaceutik, për të cilin gjendja në shëndetësi është një fushë me lule. E kundërta që përjeton pacienti, i cili me trajtimin që merr, Kosova i duket një ferr i vërtetë.
Pritje të gjata para klinikave, e shpenzime marramendëse për t’i siguruar barnat. Kjo është panorama që të del para syve sa herë përmendet Qendra Klinike Universitare, e cila do të duhej të shihej si një shpresë për qytetarin, e e cila për kaq vite ka arritur të shihet si e kundërta e saj. Pacientë të varfër që dita i zbardh me frikën se a do të mund t’i sigurojnë barnat për mjekim. Mjekët thonë se janë të detyruar tu thonë pacientëve që t’i blejnë ato, pasi që ato nuk i kanë në klinika të cilat me ditë të tëra mbesin të pa furnizuara me barnat, që doemos do të duhej t’i kenë..
Mes jetës dhe vdekjes shumë nga ta detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit, pasi që ky vend nuk ofron asgjë për pacientin, i cili është lodhur së vrapuari nga njëra klinikë tek tjetra, për të kërkuar ndihmën, të cilën ky vend nuk arrin të ia jap.
Por jo vetëm pacientët i kanë sytë jashtë vendit. Janë dhe mjekët të cilët si duket dhe ata janë dorëzuar para këtij kaosi, e shpëtimin e vetëm po e shohin ta braktisin Kosovën dhe QKUK-në.
Ikja e personelit shëndetësor është trendi që e ka karakterizuar vitin 2022. Të gjithë mantel bardhët sytë i kanë kah Evropa, aty ku u premtohet një jetë më e mirë. E derisa spitalet po zbrazen çdo ditë e më shumë, shteti vazhdon të bëjë sehir, thua se shëndetësia është një botë tjetër, ku shteti nuk ka dorë. Me qindra profesionistë shëndetësor, janë larguar nga Kosova gjatë këtij viti.
E gjithë çfarë shteti bëri është thirrja e profesionistëve shëndetësor të kthehen nga jashtë në këtë kaos dhe ta japin kontributin e tyre, në një shëndetësi të lodhur e të braktisur.
Thirrje kujt, mjekëve që ikën nga ky vend, nga ky sistem i dështuar shëndetësor, pasi që nuk iu mundësua ta kryejnë detyrën e tyre si duhet, shkruan IndeksOnline.
Ata thanë se nuk ishin vetëm pagat arsye për largim nga Kosova, por mos funksionimi i sistemit, i cili që sa vite ka dështuar të jap shërbime të duhura për pacientët.